Dekonspiroi operacionet e policisë dhe ndihmoi Altin Hajrin, GJKKO kalon për gjykim dosjen e Çyrbjes dhe mikut të tij
GJKKO ka pranuar dosjen e prokurorisë së posaçme në ngarkim të ish deputetit Jurgis Çyrbja duke vendosur nisjen e gjykimit. I akuzuari ka kërkuar që të zhvillohet Procesi i shkurtuar, çka do të vendoset në seancën e radhës prej trupës.
Nëse kjo pranohet fillimisht do të jetë SPAK që do të paraqesë provat dhe akuzat e më tej do të jetë radha e mbrojtjes. Në këtë mënyrë shmanget dhe zgjatja e procesit përmes përballjes së palëve, por nëse do të gjendet fajtor Çyrbes do t’i ulet një e treta e dënimit.
Ish-deputeti socialist u arrestua në tetor të vitit 2024, pak ditë pasi ai la mandatin e deputetit. Pas hetimeve të kryera nga SPAK ai u akuzua për zbulim të sekretit shtetëror përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.
Atij u gjetën komunikime në “Sky ECC” me Altin Hajrin, të akuzuar për zhdukjen e Jan Prengës në resortin “Golden”.
Prokuroria e Posaçme thotë se ai i ofronte informacione mbi operacionet e policisë por dhe të dhëna të tjera. Përmes këtyre veprimeve ai ka ndihmuar personin në kërkim për t’i shpëtuar drejtësisë.
Një tjetër akuzë është dhe korrupsioni në zgjedhje, ku Çyrbja në këmbim të informacioneve që merrte për shkak të qenurit deputet kërkoi mbështetje në vota në qarkun e Durrësit si dhe ndërhyrjet që ai të renditej i treti në listën e socialistëve në atë kohë. Në gjykim dosja ka kaluar dhe për Altin Hajrin dhe Ahmet Mashën.


