Deklaroi se u pyet në SPAK, deputeti Baçi i denoncuar për pronësinë e kompleksit “Diamond Hill” në Vlorë. Kajana mbylli dosjen. (DËSHMIA)
Teksa prokurorët e SPAK Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja, kërkonin paraqitjen në gjykatë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe debati politik ishte ndezur, deputeti i Rithemelimit të PD, Luan Baçi pohoi gjatë një interviste në TV se ishte thirrur në SPAK duke dhënë shpjegime për çështjen e pasurisë.
Deklarata e deputetit të PD për qarkun e Fierit, kaloi në heshtje për shkak edhe të vëmëndjes të madhe tek Sali Berisha, nëse duhet të shkonte ose jo për tu përballur me dy prokurorët e SPAK në gjykatë.
Përmes burimeve pranë SPAK, “Ora News” ka mundur të sigurojë dosjen e verifikimit të deputetit Luan Baçi dhe dëshminë që ky i fundit ka dhënë para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, lidhur me aksionet dhe kapitalin që gëzon tek kompleksi turistik “Diamond Hill”, i cili ndodhet në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.
Kallëzimi ndaj deputetit të rithemelimit të PD është depozituar në SPAK, nga Aredin Behari, një personazh ky që i shpëtoi dy herë atentatit me armë i organizuar nga Skerdi Tasi, Henrik Hoxhaj dhe i financuar kundrejt 80 mijë euro nga Albert Pashaj, që tashmë është arrestuar nga prokuroria.
Por vetëm 15 ditë pasi Aredin Behari, kishte depozituar kallëzimin penal kundër deputetit të Fierit, Luan Baçi, prokurorja e çështjes Manjola Kajana, vendosi të mosfillojë dosje penale kundër zyrtarit të Kuvendit të Shqipërisë me argumentin se fakti i paraqitur në kallëzim nuk përbën vepër penale.
Vendimi për mosfillimin e hetimit është bërë në datën 6 korrik 2023, pikërisht në të njëjtën ditë, kur deputeti Baçi është thirur në SPAK dhe ka dhënë shpjegime lidhur me pasurinë e tij.
Aredin Behari, pretendon se Luan Baçi, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i ka vjedhur pasurinë dhe nuk ka deklaruar të ardhurat si subjekt i ligjit "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nënpunësve publike në periduhën që ka qenë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier (DRShTRr)
Në kallëzim Behari parashtron se në vitin 2008 ka themeluar dhe ka qenë aksioner i vetëm i shoqerise "Geral AM" shpk.
Më 31 shtator 2009 i ka shitur 50 për qind të aksioneve Krienko Memo. Pas kësaj Aredin Behari i ka shitur 10 për qind të aksioneve Elsa Baçi, e cila me prokurën e përgjithshme të datës 15 shkurt 2010 ka emëruar si përfaqësues me tagra të plota bashkëshortin e saj, deputetin Luan Baçi.
Aredin Behari thotë se në 8 korrik 2012 ortakët e "Geral AM" kanë realizuar një marrëveshje.
Ku ortakët kanë rënë dakord që të pranojnë kërkesën e ortakut Aredin Behari, i cili në këtë periudhë, ndodhej në pamundësi financimi, t’i shesë të gjitha pjesët e tij takuese të ambienteve të shërbimit, pishinave, garazheve, dhe pjesëve të tjera ndihmëse të godinës "B" me përjashtim të 21 apartamenteve me sipërfaqe 1,444 m².
Për shkak të pamundësisë së financimit, ortakët kanë pranuar kërkesën e Aredin Beharit për të përdorur veç financimit me para kesh edhe mundësinë e kleringut me nënkontraktorët por me miratimin e dy administratorëve Krienko Memo dhe Aredin Behari.
Në vazhdim të aktivitetit, ortaku Elsa Baçi ka përfituar disa sipërfaqe dhe ambiente në objektin "B" dhe "A" të kompleksit turistik “Diamond Hill” në Vlorë.
Aredin Behari me dëshirën e tij i ka shitur ortakëve Elsa Baçi dhe Krienko Memo tarracën e godinës "A".
Më 10 Prill 2012 Aredin Behari i ka shitur 40 për qind të aksioneve të tij Krienko Memos, duke u zhveshur nga të drejtat lidhur me ortakërinë.
Krienko Memo dhe Elsa Baçi duke qenë ortakë të vetëm, kanë vazhduar aktivitetin tregëtar duke investuar në kompleksin “Diamond Hill”.
Për sa ka parashtruar, Aredin Behari, pretendon se bashkëhsorti i Elsa Baçi, Luan Baçim në kohën që janë vënë këto pasuri ka qenë Drejtor i Transportit Rrugor Fier dhe se këto pasuri nuk i ka deklaruar në ILDKPKI.
Aredin Behari, pretendon se pasuria e Elsa Baçi në fillimet e aktivitetit tregtar në vitin 2010 ka qenë në shumën 450mijë euro, dhe deri më tani ky aktivitet ka gjeneruar të ardhura për cilat kallëzuesi pretendon se nga të dhënat që disponon Luan Baçi, nuk i ka deklaruar në ILDKPKI dhe se i ka fshehur në rrjedhën e viteve.
Për këtë çështje prokurorja Manjola Kajana ka kryer disa verifikime në ILDKPI, zyra e Transportit Rrugor dhe biznese.
Njëherësh në 6 korrik 2023, ditën kur prokurorja Kajana ka mbyllur dosjen, ka marë në pyetje deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Luan Baçi.
Në deklarimin e tij deputeti Baçi shpjegon se ka ushtruar aktivitet privat që prej vitit 1997. Me tej ai shpjegon historikun e punësimit të tij dhe se në vitin 2007 është emëruar drejtor Rajonal i Rrugëve të Qarkut Fier dhe në vitin 2008-2013 ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier.
“…nga viti 2013-2017 kam qënë i punësuar pranë resortit "Diamond Hill" dhe më pas në Shtator 2017 e deri më sot, ushtron funksionin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Unë nuk kam ushtruar aktivitet tregtar gjatë periudhës që kam ushtruar funksione publike dhe se gruaja e tij ka patur aktivitet tregtar që në vitin 2000 në Fier…”- ka dëshmuar Luan Baçi.
Deputeti i PD shpjegon edhe mënyrën se si e shoqja ka fituar pronësinë e aksioneve të subjektit "Diamond Hill Resort, subjekt tregtar që ka patur emrin fillestar "Geral AM” dhe me tej "Krienko Group" shpk.
Në vijim të deklarimit të tij Baçi shpjegon se bashkëshortja i ka blerë aksionet dhe se nuk zotëron asnjë pasuri të paluajtshme pranë resortit "Diamond Hill".
Baçi në dëshminë e tij thotë se Elsa Baçi, ka përfituar pjesën takuese në objektin e ndërtuar sipas kuotës së aksioneve që ka dhe se objektet dhe ambientet në "Diamond Hill" janë pronë e subjektit tregtar dhe aksioneri përfiton të ardhura vetëm nga shitja dhe dividenti.
I pyetur nëse vetë Luan Baçi, ka kryer veprime juridike në emër të subjektit tregtar ku bashkëshortja është aksionere ndër tjera ai deklaron se:
"...Dua të ju shpjegoj, se nga Nentori 2013 deri në Shtator 2017 ku jam zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam qenë i punësuar në "Diamond Hill" shpk si administrator. Në këtë periudhë kam kryer veprime për këtë subjekt por nuk i kujtoj. Por dua të s’qaroj se unë kam edhe një prokurë nga bashkëshortja ime që të kryej veprime për llogari të bashkëshortes sime, me konkretisht për atë pjesë të aksioneve që ajo posedon, kjo prokurë duhet të jetë bërë diku rreth vitit 2009-2010...".
I pyetur në lidhje me marrëdhëniet me aksionerët e tjerë të "Diamond Hill" (ish GeralAM) Krienko Memo dhe Aredin Behari, Luan Baçi lidhur me Krienko Memon shpjegon se e ka djalë daje ndërsa për Aredin Behari deklaron se:
"...unë Aredin Beharin e njoh fillimisht si banor të Fierit dhe si person që ka ushtruar biznes pas vitit 1997. Nuk kam patur shoqëri dhe as miqësi me të. Di që Krienko bëri ortakëri me Aredinin për subjektin "Geral AM", ku më pas bashkeshortja ime bleu aksionet. Kaq di për këtë person. Kujtoj, një herë që kam qenë në tavolinë me Krienkon dhe Aredinin, në periudhën që po negocionim në momentin që Aredini do shiste aksionet...".
Në deklarimin e dhënë në SPAK deputeti Luan Baçi, shpjegon se për herë të parë Deklarimin e Pasurisë e ka bërë në vitin 2013, pasi me ndryshimet ligjore të vitit 2012, Drejtorët e Drejtorive u bënë subjekte deklaruese.
Menjëherë pas administrimit të dëshmisë së deputetit Baçi, prokurorja e çështjes Manjola Kajana, vendosi të mos fillojë procedimin penal, duke argumentuar se mungon fakti tipik i kondraligjshmërisë penale