Debati për menaxhimin e Drilonit, Kumbaro mbron vendimin e Qeverisë: Çfarë i ka dhënë natyra nuk mjafton

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, mbrojti projektin e qeverisë për menaxhimin e parkut të Drilonit. Ajo tha se vendimi i qeverisë nuk ka klientelizëm. Gjatë takimit në Korçë për turizmin rajonal, Kumbaro tha se ndotja e liqenit nuk është alarmante, por shtoi se po merren masa për reduktimin e saj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka mbrojtur planin për menaxhimin e parkut të Drilonit i cili sipas saj, është miratuar me vendim të qeverisë dhe është transparent.

Sipas saj, parku pronë publike, që do të menaxhohet në bashkëpunim me zonat e mbrojtura nga Bashkia e Pogradecit dhe në koordinim me subjektet lokale.

"Nuk bie dakord me konstatimin tuaj që është marrëveshje e fshehtë, ajo ka kaluar me një VKM dhe si çdo akt tjetër nënligjor është publike. Është projekt i nisur në mënyrën më transparente midis bashkisë së Pogradecit, qeverisë dhe Fondacionit Amerikan të Zhvillimit që financon krijimin e një parku tjetër në një zonë të mbrojtur. Investimi është publik që nga tabelat e deri tek informacioni që mund të kërkoni," tha ajo.

Gjatë një takimi të mbajtur në Korçë për zhvillimin e turizmit rajonal, Kumbaro foli edhe për ndotjen në liqenin e Pogradecit, e cila sipas saj, nuk është në nivele kritike dhe që po menaxhohet.

"Nuk më rezulton që të ketë kërcenim të tillë në Unesco, ajo që konfirmoj është që Bashkia e Pogradecit dhe Ministria, janë në bashkëpunim për të zgjidhur dhe shëruar plagët e tranzicionit. Është filluar një proces pastrimi në disa prej hotspoteve minerare, që mund të dëmtojnë liqenin, proçes në vazhdim dhe po ashtu ka projekt shumë të dizenjuar mirë nga Bashkia në zonën e Udnishtit për të parandaluar këtë lloj dëmtimi," tha ajo.

Sipas Kumbaros, pjesë e projektit për zonën është edhe krijimi i një itinerari ujor për varkat, me gjatësi rreth 3 kilometër.

parku i drilonit mirela kumbaro

EMISIONET