Dan Hutra, vrasësi përsëritës/ Në 2007 vrau të fejuarën, një vit më parë u riburgos për dhunim të bashkëjetueses
Autori i vrasjes së trefishtë është një emër i njohur për drejtësinë. Dan Hutra ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e të fejuarës Dafina Havalja në vitin 2007. Pasi kreu këtë dënim gjatë të cilit tentoi një herë që të arratiset nga qelitë e Drenovës, ai u lirua një vit më parë por ra sërish në pranga për dhunë ndaj gruas së dytë me të cilën kishte një vajzë 4 muajshe.
Autori i vrasjes së trefishtë, Dan Hutra është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë pasi përfundoi në pranga në vitin 2007 për vrasje.
Në mesin e dhjetorit të atij viti, policia e Kukësit arrestoi 25-vjeçarin si autor i vrasjes së të fejuarës së tij, Dafina Havalja.
Krimi i rëndë ndodhi në Tiranë ku i riu asokohe emigrant, qëlloi me thikë gruan me të cilën bashkëjetonte.
Dan Hutra u kap pa bërë rezistencë, teksa po udhëtonte drejt Kukësit me një furgon.
Arrestimi ndodhi rreth një javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në kryeqytetm ndërsa policia e kishte identifikuar Dan Hutrën si autor, pas telefonatës që ai kishte kryer me të afërmit e viktimës.
Sipas dëshmisë së familjareve të Dafina Havalisë, dhëndri u ka pohuar në telefon se ai e kishte kryer vrasjen, duke u treguar se ku ndodhej trupi i pa jetë i gruas.
Për këtë ngjarje, Dan Hutra u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërkohë që duket se një vit më parë kishte fituar lirinë.
Megjithatë, edhe pas daljes nga burgu, ai ushtroi sërish dhunë në familje dhe përfundoi sërish në qeli.
"Autori ka qenë i arrestuar me 16 qershor 2022 dhe ka dalë nga burgu me 16 shkurt 2023. Është me precedent penal, i dënuar më parë për vrasjen e gruas së tij."
Në vitin 2014 në qelinë e Dan Hutrës në burgun e Drenovës policia gjeti disa pajisje që dyshohet se do përdoreshin për arratisje.
Pasi fitoi lirinë ai krijoi edhe një lidhje me Elena Hysën, e cila edhe pse shtatzënë në qershor të vitit të kaluar e pati denoncuar në polici për dhunë.
Për këtë padi gjykata pati vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg, që ka zgjatur deri dy javë më parë, më 16 shkurt.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.