Basha: 25 prilli, masakër elektorale! Betejë në të gjitha frontet për rrëzimin e regjimit Rama-Doshi-Rakipi

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, insiston se 25 prilli ishte një masakër elektorale, viktimë e së cilës nuk ishte PD por qytetarët shqiptarë.

Ai paralajmëroi betejë në të gjitha frontet deri në rrëzimin e atij që e cilësoi regjimi Rama-Doshi-Rakipi.

Madje ai nuk nguroi të flasë me emra 

Basha: 25 prilli është një masakër elektorale, viktima e të cilës nuk është PD dhe deputetët tanë. Rezultati ynë flet qartë. Besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të paprecedent të krimit të organizuar, parave të pista të krimit dhe siç tha raporti paraprak i OSBE-ODIHR, shkrirjes së vijave ndarëse midis partisë dhe shtetit, nuk ja doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të jashtëzakonshëm të shqiptarëve.

Detyrimi jonë është ndaj qytetarëve. Ndërsa ne vazhdojmë mbledhjen dhe faktimin e manipulimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit të gjithë kamerat dhe mikrofonat e medias së lirë duhet të drejtojnë pyetjet legjitime te Rama-Doshi dhe Rakipi. Si i morën votat tre deputetët e Tom Doshit të listës së zezë të DASH, si i mori votat Vangjush Dako i listës së zezë të DASH bashkë me tre përfaqësuesit e krimit në Durrës, Jyrgis Çyrben e kokainës dhe Plarent Dervishit, Rrahman Rrajën me kokainën dhe klanin e tij kriminal dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve?

Si i morën votat djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit, një nga familjet e njohura kriminale të Peqinit? Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës, person në kërkim ndërkombëtar për trafik droge? A mund të pranojë Shqipëria që sot nga njëra anë me trashëgiminë e anëtarësimit në NATO gjatë kohës që qeveriste PD, mban me krenari këtë peshë dhe nga tjetër shkatërron themelet e demokracisë, viktimat e masakrës elektorale janë qytetarët shqiptarë.

Detyra jonë është të qëndrojmë fort, dhe të luftojmë fort për rikthimin e demokracisë në vend. Beteja do të bëhet në të gjitha frontet dhe përfundimi do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë shqiptarëve."

Deklaratat Basha i bëri në një dalje për mediat ku përshëndeti nisjen e stërvitjes  “Defender 21”, të cilën e cilësoi edhe një mesazh të qartë për këdo që ëndërron kthimin e Ballkanin në fuçi baruti apo teatër lojërash territoriale.

Basha: Një paralajmërim i qartë për despotët e Ballkanit se kjo Aleancë nuk është një aleancë ushtarako-politike por politiko-ushtarake në bazë të cilës qëndron demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe sundimi i ligjit.

Deri më tani Partia Demokratike ka dorëzuar më shumë se 50 padi për shkeljet zgjedhore, ndërsa në prokurori dhe në SPAK janë mbi 180 dosje që është kërkuar të hetohen

EMISIONET