Basha: "Defender Europe 21”, mesazh për këdo që ëndërron kthimin e Ballkanit në një fuçi baruti

Lulzim Basha nuk ishte në Durrës  për nisjen e stërvitjes më të madhe ushtarake, por zgjodhi ta përshëndesë nga Tirana “Defender Europe 21”.

Kryedemokrati  nënvizoi edhe njëherë me krenari se sot jemi në këto kushte falë angazhimit të qeverisë demokratike të kohës dhe të tij si Ministër për anëtarësimin në NATO.

Basha: Së pari, dua të falënderoj nga zemra të gjithë  forcat pjesëmarrëse të NATO-s në veçanti forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë vendeve pjesëmarrëse në një ushtrim historik “Defender Europe 21”. Kam krenarinë e veçantë dhe privilegji t’ju uroj mirë se ardhjen këtij ushtrimi të paprecedentë të NATO-s që nga  përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në bregun lindor të Adriatikut dhe të shpreh krenarinë legjitime  që Partia Demokratike, qeverisja jonë dhe unë në rolin tim si Ministër i Jashtëm mundësuam atë që dikur dukej si një ëndërr e pamundur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme politike, ushtarakë të botës.

Ndërsa rajoni është trazuar prej ditësh nga publikimi në media i "non-paper-it" slloven që flet për ndryshim kufijsh, Basha tha se kjo stërvitje ushtarake është  për këdo që ëndërron kthimin e Ballkanit në një fuçi baruti apo në një teatër lojërash territoriale.

Basha: Ju uroj mirë se ardhjen të gjithë forcave aleate  të kryesuara nga partneri ynë strategjik dhe ju uroj Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë ndonëse në kushte shumë të vështira prej neglizhencës 8-vjeçare që ta mbajnë lart standardin, flamurin dhe krenarinë e kombit tonë me pjesëmarrjen në këtë ushtrim të një rëndësie të veçantë strategjike që do t’i tregojë të gjithë rivalëve potencialë të Aleancës së Atlantikut të Veriut se  aleanca është e gatshme të përballet me çdo agresion dhe ta zmbraps atë nëse vlerat  rreth të cilave në bashkohemi janë të pacenueshme duke filluar me vlerat e lirisë, e demokracisë e duke vazhduar me stabilitetin rajonal ballkanik që fillon me respektimin e kufijve e integritetin territorial të të gjitha shteteve duke përfshirë Republikën e Kosovës.

Le të jetë ky një mesazh i qartë për këdo që ëndërron kthimin e Ballkanit në një fuçi baruti apo në një teatër lojërash territoriale dhe një paralajmërim i qartë për despotët e Ballkanit se kjo aleancë nuk një aleancë ushtarako-politike , por një aleancë politiko-ushtarake në bazë të së cilës qëndron demokracia,, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe sundimi i ligjit.

EMISIONET