“Asgjë nuk mund të bëhet për ta pa ta”/ Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë ndryshimin e ligjit dhe garantimin e mjeteve ndihmëse
Leo është 14 vjeç dhe ka bërë 14 ndërhyrje kirurgjikale. Tani po përgatitet për të kryer operacionin e 15-të. Spitalet në Shqipëri nuk ofrojnë shërbimin për sëmundjen me të cilën jeton “Osteogenesis Inperfecta Paraplegi inferiore”, prandaj duhet operuar jashtë. Këtë herë operacioni do të kryhet në Turqi dhe kushton 30 mijë euro.
Familja e ka të pamundur të sigurojë një shumë të tillë, prandaj përmes mediave dhe rrjeteve sociale kërkon ndihmën e qytetarëve, apo dhe të bizneseve për t’u solidarizuar.
Nga shteti Leo merr 27 mijë lekë kemp, ndërsa vetë e ëma si kujdestare e djalit 12 mijë lekë.
“Janë shumë pak. As për ilaçe, as për pampersa nuk dalin”, tregon për “Ora News” Angjela Hasanllari, mamaja e Leos, duke shtuar se edhe ilaçet duhet t’i blejë në Greqi, pasi ato që merrte në Shqipëri, qoftë dhe ato me rimbursim, nuk i bënin mirë”
Kur e pyes se çfarë mjeti ndihmës ka marrë nga shteti, Angjela tregon: “Shteti solli një makinë që e çojmë në shkollë dhe fizioterapiste në shtëpi për 1 vit. Po ta mbash mend kur u vesh Edi Rama babagjysh tek e diela shqiptare”, kujton ajo e shton pasi ra covidi gjithçka u ndërpre.
Bëhet fjalë për një ndihmë që shteti ia dha, pasi historia e Leos u bë publike në një emision televiziv në 2015.
Por për jetën e Leos dhe personave me aftësi të kufizuar mjetet ndihmëse janë të domosdoshme çdo ditë që t’u përmirësohet cilësia e jetës, të mos u cënohet shëndeti dhe t’u lehtësohet përfshirja dhe pjesëmarrja në shoqëri.
Në Shqipëri mjetet ndihmëse për këta persona janë të përcaktuara në mënyrë të përgjithshme nga një legjislacion i vjetër në kohë që nuk është përditësuar me ndryshimet që kanë ardhur si rezultat i zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë.
Gjithashtu, në praktikë pjesa që parashtrohet në legjislacionin specifik, nuk realizohet pasi nuk është ngritur sistemi të garantimit të mjeteve ndihmëse, nuk ka një listë të miratuar dhe nuk është buxhetuar për to.
Prandaj nën moton “Askush të mos mbetet pas” fondacioni “Së Bashku” synon të nxisë nevojën e pëmirësimit të ligjit dhe mbulimit nga shteti shqiptar të kostove të mjeteve ndihmëse në mënyrë që t’u përmirësohet cilësia e jetës, të mos u cënohet shëndeti dhe t’u lehtësohet përfshirja dhe pjesëmarrja në shoqëri.
“Institucionet shtetërore shqiptare nuk kanë një plan veprimi të mirë përcaktuar dhe detajuar për ndërmarrjen e një reforme në lidhje me mjetet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në studimin e përgatitur me ndihmën e UNDP-së dhe mbëshetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në kuadër të projektit “Promovojmё dhe avokojmё pёr mjete ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri”.
Por, kush janë praktikat më të mira?
Studimi sjell praktikat më të mira të Italisë dhe Sllovenisë, si vende të Bashkimit Evropian dhe që zbatojnë standardet e tij.
Të Malit të Zi, si një vend që e ka kaluar etapën e procesit të negociatave, që Shqipëria pritet të kalojë.
Por dhe Maqedonisë së Veriut, që ndodhet në të njëjtën etapë si Shqipëria dhe që deri më tani, ka qenë bashkudhëtare me të në procesin e negociatave.
Ky këndvështrim do të ndihmojë në identifikimin e mekanizmave më të mirë, të instrumenteve të nevojshëm për ndryshimin e legjislacionit në fuqi.
Sistemi italian
Në qendër të të gjithë sistemit italian të mjeteve ndihmëse është vendosur personi me aftësi të kufizuara, me zgjedhjet dhe nevojat që ai ka në kuadër të gjendjes së aftësisë së kufizuar. Veprohet në dy drejtime: pajisjet përfitohen falas nga sistemi shëndetësor shtetëror Italian, si dhe parashikohen lehtësira fiskale në lidhje me mjetet ndihmëse, për personat me aftësi të kufizuara.
Legjislacioni italian ka bërë një detajim për fituesit; llojet e mjeteve ndihmëse; mënyrat e përfitimit.
Mjetet ndihmëse janë të kataloguara dhe listuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe përditësohet periodikisht. Ata, gjithashtu, duhet të jenë sipas standardeve teknike të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Sistemi Italian parashikon dhe rastet kur personi me aftësitë kufizuara ka nevojë për një mjet ndihmës, që nuk është e parashikuar në listën e miratuar, por që i rekomandohet nga mjeku për ta pasur dhe përdorur atë, në kuadër të garantimit të jetesës së pavarur.
Përveç përfitimit falas të mjeteve ndihmëse nga sistemi shtetëror shëndetësor, legjislacioni tatimor italian për personat me aftësi të kufizuara ka parashikuardhe lehtësitë fiskale.
Në Slloveni
Sistemi shëndetësor slloven e lidh përfitimin e mjeteve ndihmëse nga personat me aftësi të kufizuara me të qenit i siguruar në Sistemin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Lista përmban 450 mjete ndihmëse. Për të garantuar përfitimin e këtyre mjeteve bëhet marrëveshje me shoqëritë tregtare që i ofrojnë ato në treg.
Po kështu, garantohet për mjetet ndihmëse shërbimi i riparimit, mirëmbajtjes dhe përshtatjes së mjeteve ndihmëse, sipas nevojave gjatë gjithë kohës së përdorimit të tyre.
Sllovenia si shtet anëtare e BE-së njeh për personat me aftësi të kufizuara të drejtën e një qeni udhërrëfyes, të mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor për personat që kanë vështirësi në shikim.
Sllovenia nuk garanton ekzistencën e të drejtës për personat me aftësi të kufizuara për të marrë fonde për përshtatjet ndihmëse në shtëpi (përshembull rampat, ashensorët e shtëpisë, pajisjet elektronike, pajisjet e drejtuara me zë) dhe këto mjete ndihmëse nuk janë pjesë e “Listës”. Gjithashtu, nuk garanton asnjë financim ose të drejtë për përshtatje për garantimin e lëvizshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, si p.sh: makinë, rampa, ashensorët e makinave, përshtatjet e drejtimit.
Mali i Zi
Në Mal të Zi përfitimi i mjeteve ndihmëse është lidhur ngushtësisht me të qenit i siguruar në sistemin shtetëror të sigurimit shëndetësor.
Sistemi i garantimit të mjeteve ndihmëse ndahet në dy drejtime:
Garantimi i mjeteve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara nga fondet e buxhetit të shtetit. Ngritja e funksionimi i Qendrave të Rehabilitimit për personat me aftësi të kufizuara.
Në vitin 2019 Mali i Zi hartoi ligjin për produktet/pajisjet mjekësore duke përcaktuar në mënyrë të detajuar standardet për: pajisjet mediko-teknike dhe materialet e përdorura për prodhimin e tyre;
Nëse një mjet/pajisje ndihmëse nuk figuron zyrtarisht në Listën e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, personi me aftësi të kufizuara duhet ta sigurojë vetë atë dhe shpenzimet për sigurimin e mjetit/pajisjes ndihmëse nuk janë të rimbursueshme.
Shteti për të garantuar përfitimin e mjeteve ndihmëse nga personat me aftësi të kufizuara bën marrëveshje me shoqëritë tregtare, që i ofrojnë ato në treg.
Shteti ka bërë të mundur miratimin e Listës së Rehabilitimit Mjekësor, e cila përcakton: Qendrat e Rehabilimit për personat me aftësi të kufizuara dhe Organizimin dhe funksionimin e tyre.
Maqedonia e Veriut
Në kuadër të procesit të negociatave, Maqedonia e Veriut do t’i nënshtrohet ndryshimit të legjislacionit në fuqi në kuadër të mjeteve ndihmëse.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor është përgjegjës për garantimin e mjeteve ndihmëse. Gjithashtu, është miratuar Rregullorja Juridike për Pajisjet Ortopedike ku përcaktohen llojet, kriteret dhe standardet.
Rekomandimet
Studimi sjell dhe rekomandimet për institucionet shtetërore shqiptare
•Ngritjen e strukturave të specializuara shtetërore të afta për hartimin, miratimin, zbatimin dhe përditësimin e sistemit të mjeteve ndihmëse.
•Ngritjen e sistemit të mjeteve ndihmëse
•Planifikimi i fondeve nga buxheti i shtetit për të garantuar sistemin e mjeteve ndihmëse, sipas standardeve ndërkombëtare.
Miratimin e listës së mjeteve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.
Procedurat e garantimit të mjeteve ndihmëse.
Procedurat e hartimit dhe miratimit të sistemit të mjeteve ndihmëse.
Ngritjen e mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik.
Garantimi i mjeteve ndihmëse për të gjithë llojet e aftësisë së kufizuar, duke ngritur kështu një sistem gjithëpërfshirës dhe që garanton aksesueshmëri për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.
Ngritjen e qendrave të rehabilimit për personat me aftësi të kufizuara, qoftë si pjesë e sektorit të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, apo si pjesë e sektorit të kujdesit shëndetësor.
Ngritja e sistemeve të fuqizimit dhe edukimit të personelit mjekësor dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shëndetësor në lidhje me përdorimin e mjeteve ndihmëse.
Garantimin nga legjislacioni në fuqi i procedurave të rimbursimit të shpenzimeve për personat me aftësi të kufizuara në momentin e blerjes së mjeteve/pajisjeve ndihmëse, deri në momentin e ngritjes së sistemit të mjeteve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.
Sepse “asgjë nuk mund të bëhet për ta, pa ta”.