Argjinatura e lumit Seman nën presion nga prurjet e larta? Reagon Bujqësia: Nuk ka thyerje por zgavra lokale të krijuara nga gërryerjet apo kafshët

Lidhur me situatën e argjinaturës së lumit Seman, sqarojmë se nuk ka pasur në asnjë moment çarje apo thyerje të saj. Fenomeni i konstatuar konsiston në zgavra lokale, të krijuara si pasojë e gërryerjeve nga prurjet e larta ose nga veprimtaria e kafshëve.
Këto gërryerje janë shkaktuar nga prurjet me intensitet të lartë nga baseni i lumit dhe shkarkimet e HEC Banjës. Në këtë segment specifik, lumi krijon një kthesë dhe përplaset drejtpërdrejt me argjinaturën, duke e shtuar presionin dhe efektin gërryes.
Ekipet tona kanë ndërhyrë menjëherë pas konstatimit, duke marrë masa për riparimin dhe forcimin e zonës së prekur. Aktualisht, situata është plotësisht e stabilizuar dhe është dërguar material guror shtesë për të eleminuar përfundimisht rrezikun.
Vlen të theksohet se kjo argjinaturë është pjesë e një projekti rehabilitimi afatgjatë. Një segment prej 8 km i saj, duke nisur nga derdhja e lumit, është tashmë i rehabilituar dhe mbingritur me rreth 2 metra, pasi struktura e vjetër ishte amortizuar dhe nuk e kryente më funksionin e saj mbrojtës.

