Apeli kërkon ekstradimin e Nikolin Janinën në Spanjë, akuzohet si lider i një grupi kriminal atje
Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë për ekstradimin drejt Spanjës të të shumëkërkuarit nga ky shtet Nikolin Janina.
Prokurori parashtron që për këtë kërkesë të merret parasysh marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Spanjës, e ratifikuar në 2022 dhe Konventën Evropiane për Ndihmën e Ndërsjelltë Juridike në Çështjet Penale, ratifikuar me ligjin në 2008 si dhe nenin 488 për ekstradimet.
Pronari i ‘Porcelanosas’, ndodhej në kërkim ndërkombëtar nga Spanja për trafik droge, ndërsa vitin e kaluar Gjykata e Tiranës vendosi pranimin e kërkesës së tij për masë më të butë sigurie se arresti me burg, duke e lënë në arrest shtëpie.
Ai kërkoi në Apel masë ende më të lehtë, gjë e cila nuk u pranua. Janina u arrestua në maj vitit 2022 me qëllim ekstradimin në Spanjë. Ndërkohë që kishte më shumë se 6 vite në kërkim ndërkombëtar nga Spanja, autoritetet shqiptare nuk e kapën dot deri në këtë periudhë.
Gjatë kësaj kohe Janina vijonte të ushtronte pa u trazuar aktivitetin e tij në biznes dhe njihej si pronari i dyqanit “Porcelanosa”.
Autoritetet në Spanjë e konsiderojnë si lideri i një grupi kriminal me përbërje vendas dhe turq, të cilët trafikonin sasi të ndryshme heroine, morfinë dhe Opiumi në disa shtete të Evropës, por në Shqipëri njihej si biznesmen i pllakave dhe hidrosanitareve.
Janina ishte pronar i kompanisë ‘Porcelanosa’, që fillimisht iu sekuestruan pasuritë por më pas me vendim gjykate sekuestroja u tërhoq.
Në 21 shkurt të vitit 2017 në atë kohë Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e pasurisë së këtij biznesmeni, ku u evidentuan dhjetëra pasuri me vlera marramendëse.
Por një vit më vonë, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi lirimin nga sekuestro, pasi është provuar se Janina justifikonte pasurinë e tij, prej disa miliona eurosh.