Alqi Bllako dorëzon mandatin, i hap rrugë arrestimit nga SPAK. Ja dokumenti: Jam i ndershëm, pafajësia ime do provohet
Alqi Bllako çon dorëheqjen nga mandati në Kuvend.
Mësohet se dorëheqja ka mbërritur me postë në orën 15:50 minuta në zyrën e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.
"Me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar kuvendit më datë 29 mars 2022 dhe urdhrit të kryetares së kuvendit po më 29 mars për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, mandatet dhe Imunitetit më datë 30 mars 2022
Me bindjen e plotë se në fund të procesit do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt persona vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar ti hap rrugën e pakushtëzuar të proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë" shkruhet në letrën drejtuar kuvendit.
Edhe mbrëmë përmes një postimi në facebook ai deklaroi se ishte gati të jepte dorëheqjen nga mandati.

"Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t'i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë! Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!" shkruante dje Bllako ne facebook
Sot në orën 17:00 kryeministri, njëkohësisht kryetari i PS-së Edi Rama do të mbledhë kryesinë e PS-së për të diskutuar për këtë çështje. Psa largimit të Alqi Bllakos mandatin e deputetit e merr Pandeli Majko.
Mesditën e djeshme një agjent i Byrosë Kombëtare dorëzoi në Kuvend kërkesën për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako.
Sipas SPAK nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Gjithashtu Bllako akuzohet edhe për procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inciniratori i Fierit.
Ndërkohë Kuvendi menjëherë pasi Alqi Bllako dorëzoi mandatin, njoftoi SPAK-un për anulimin e mbledhjes së komisionit të mandateve.

