Aeroporti i Rinasit drejt një rekordi të ri, priten 13.5 milionë pasagjerë deri në fund të vitit!

Aeroporti i Rinasit drejt një rekordi të ri, priten 13.5 milionë

Numri i pasagjerëve që do të përpunohen këtë vit në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit pritet të tejkalojë shifrën e vitit 2025. Autoriteti i Aviacionit Civil parashikon që deri në dhjetor, numri i pasagjetrëve të arrijë në 13.5 milionë, duke shënuar kështu një rekord të ri lëvizjesh.

“Aeroporti i Rinasit çdo vit proceson më shumë pasagjerë dhe mjete ajrore. Këtë vit nga janari deri tani, kemi një rritje me 13% të numrit të fluturimeve. Por duke marrë vetëm sezonin veror, nga java e fundit e marsit deri tani, kemi rritje me 24%. Do të thotë që vera këtë vit është edhe më e ngarkuar se vera e vjetshme”, tha Maksim Et’hemaj, nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Edhe pse pasagjerët shtohen, një udhëtar nuk duhet të vonohet më shumë se 20 minuta në aeroport. Për të ruajtur standardin, zona e bagazheve, e njohur si problematike nga Autoriteti i Aviacionit Civil, do të riorganizohet dhe investohet.

“Është një vonesë që ne e presim sepse në 2019 ne kemi pasur kapacitete në orë 10 avionë, sot ne kemi 24 avionë. Ndërkohë rripat e bagazheve në ardhje është shtuar 1, nga 3 janë bërë 4. Një bagazh proceson 2 avionë në orë, d.m.th. që bagazhet në mbërritje procesojnë deri në 8 avionë në orë.

Ndërkohë që ne kemi raste kur na vijnë edhe 12 avionë në orë.

Ne do ta riorganizojmë të gjithë atë zonën aty, të gjithë bagazhet do të vijnë poshtë tokës dhe në mënyrë automatike do të shpërndahen duke rritur edhe numrin e bagazheve, e dimë që kemi një problem aty, por do ta adresojmë edhe këtë pikë të dobët që kemi”, shtoi Et’hemaj.

Një tjetër shqetësim që shoqëron punën e aeroportit është fuqia punëtore në disa pozicione të caktuara.

“Mungesë stafi ka në përgjithësi aviacioni civil në të gjithë botën. Jo se nuk rekrutohen, por sepse koha e rekrutimit zgjat më shumë për shkak të një security check që i bën policia. Njerëzit vijnë, mërziten me presionin e punës, veçanërisht te security dhe te pjesa e bagazheve, dhe largohen. Për shkak të specifikave që kanë kjo kategori punonjësish, na krijojnë probleme. Trajnohen të gjithë”, tha ai.

Pjesë e investimeve në aeroport është edhe zgjerimi i terminalit, zgjatja e pistës, instalimi i dy skanerave të rinj të sigurisë si edhe më shumë të punësuar te kontrolli i pasaportave, për të shmangur vonesat.

EMISIONET