196 hektarë panele diellore në Karavasta, po shqiptarët çfarë fituan?

Kur u inaugurua parku fotovoltaik i Karavastasë, u fol për revolucion energjetik, investimin më të madh në Ballkan dhe një të ardhme të ndritur për zonën. U premtuan zhvillim, vende pune dhe përfitime për komunitetin. Sot, panelet vazhdojnë të prodhojnë energji çdo ditë, por pyetja mbetet e njëjtë: çfarë fitoi realisht Karavastaja?
Në dokumentet e projektit thuhej se përparësi do t’u jepej banorëve vendas dhe se një pjesë e investimit do të shkonte për projekte në komunitet. Kanë kaluar vite, por ende nuk ka një bilanc publik që t’u tregojë qytetarëve sa banorë të Karavastasë dhe Divjakës u punësuan realisht, sa prej tyre vazhdojnë të punojnë aty dhe cilat janë projektet konkrete që janë financuar për zonën.
Apo mjafton që panelet janë vendosur dhe pjesa tjetër nuk ka më rëndësi?
Ndërkohë, një gjë dihet me siguri. Banorët e Karavastasë nuk e paguajnë energjinë elektrike më lirë vetëm sepse jetojnë pranë një prej parqeve më të mëdha fotovoltaike në Ballkan. Energjia prodhohet aty, por futet në rrjetin kombëtar dhe fatura e dritave vazhdon të vijë njësoj si për çdo qytetar tjetër.
Atëherë, ku është përfitimi që iu premtua komunitetit? Nëse nuk është te punësimi, nuk është te fatura e energjisë dhe nuk ka një bilanc publik për investimet sociale, atëherë ku duhet ta kërkojnë banorët? Te konferencat për shtyp? Te fjalimet e inaugurimit?
Apo te fotografitë me panele që përdoren sa herë flitet për energjinë e gjelbër?
Askush nuk po thotë se Shqipërisë nuk i duhen investime në energji të rinovueshme. Përkundrazi. Por kur një projekt shtrihet në 196 hektarë tokë shqiptare dhe prezantohet si histori suksesi, qytetarët kanë të drejtë të dinë edhe historinë e anës tjetër.
Jo vetëm sa megavat prodhohen, por sa vende pune u krijuan. Jo vetëm sa energji hyn në rrjet, por sa përfiton komuniteti që jeton pranë këtij investimi.
Sepse në fund të fundit, panelet diellore duken nga kilometra larg. Ajo që ende nuk duket është përfitimi konkret i Karavastasë dhe Divjakës nga një prej investimeve më të mëdha energjetike në Shqipëri./JOQ

