1 milionë lekë gjobë po hodhe plehra nga makina/ Specialisti rrugor: Kemi marra masa, por ka dhe ndërgjegjësim
Kushdo që hedh mbeturina apo sende të tjera nga makina do të gjobitet me gjobë nga 25.000-100.000 lekë sipas nenit 15/1, germa i, të Kodit Rrugor. Kjo ka si qëllim që të mbajmë ambientin pastër ndërsa specialistët rrugorë thonë se pas masave të marra ka një ndërgjegjësim të qytetraëve.
Çdo drejtues mjeti, apo dhe pasagjerë, të cilët konstatohen duke hedhur mbeturina, apo edhe sende të tjera nga makinat në lëvizje do të ndëshkohen.
“Edhe ju jeni dëshmitarë jo vetëm në përditshmëri, por edhe në rrjetet sociale janë publikuar pamje ku qytetarë të papërgjegjshëm nga dritarja e mjeteve hedhin sende duke filluar nga bishtat e cigareve dhe deri tek qeset e mbeturinave”, shprehet efektivi i Rrugores, Gerhard Baka.
Hedhja e mbetjeve është e palejuar, kështu shprehet specialisti i trafikut rrugor Gerhard Baka, i cili tregon se Policia Rrugore ka vendosur dhe masa administrative ndaj atyre qytetarëve të pandërgjegjshëm.
“Ne kemi 1 vit e gjysëm, afro 2 vjet që aplikojnë masën me gjobë për hedhjen e sendeve të paligjshme. Këto kanë qenë të monitoruara me mjete filmike nga efektivët e Policisë Rrugore, të cilat kanë qenë në patrullim të vazhdueshëm. Dhe kur kemi pasur raste flagrante është ndaluar mjeti dhe është vënë dhe masa administrative në përputhje me Kodi Rrugor. Masat administrative variojnë nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë të reja”, tha ai.
Për Bakën ka një ndërgjegjësim të qytetarëve dhe se kjo nisëm ka si qëllim mbajtjen e qytetit pastër.
“Kjo masë është në fokusin tonë të vazhdueshëm dhe duhet të theksojmë se krahasuar me vitin e mëparshëm kemi më pak raste në lidhje me këtë shkelje nga ana e qytetarëve, flas për kryeqytetin”, theksoi Baka.