U helmuan 30 persona, Ora News në Shupenzë, banorët: Helmimi nga uji i pijshëm, përzihet me ujërat e zeza
Rreth 30 banorë kanë përfunduar në Urgjencën e Spitalit në Shupenzë, të Bashkisë Bulqizë pasi kanë shfaqur shenja të helmimit. Banorët e zonës dhe familjarët e tyre deklaruan për Ora News se gjithçka ka ardhur si pasojë e dëmtimit të një tubacioni i cili mund të ketë sjellë përzierjen e ujit të pijshëm me ujërat e zeza.
Rreth 30 persona u helmuan të dielën, 10 janar, në njësinë Administrative Shupenzë të Bashkisë Bulqizë.
Ora News shkoi në vendngjarje për ta ndjekur situatën nga afër, ku kontaktoi me banorë të zonës dhe me familjarë të cilët kanë pasur persona të dyshuar për helmim.
Ata deklaruan se gjithçka ka ndodhur nga uji i pijshëm, i cili pas dëmtimit të tubacionit të rrjetit të Ujësjellësit është përzier me ujërat e zeza.
"Ujin nuk e pimë fare, kanalet e zeza futen në tubacionin e ujit të pijshëm."
"Shkak është ndotja e ujit, analizat nuk ja kemi bërë se një pjesë është në tubacion të vjetër, tejet i amortizuar."
"Rrjeti i vjetër është jashtë përdorimit tani."
Drejtori i Ujësjellësit të Bulqizës, Asllan Daxha, i kontaktuar përmes telefonit i hodhi poshtë këto pretendime.
Nga ana tjetër, pamjet filmike të tubacioneve të lidhura në rrjetin e Ujësjellësit të Shupenzës hedhin hije dyshimi mbi këtë deklaratë.
Nga vëzhgimi rezulton se tubacionet janë të shtrira në kanalin anës së rrugës, ku përzihen ujërat e bardha me ato të zeza.
Burime bënë me dije se Ndërmarrja e Ujësjellësit në Bulqizë, pas deklarateve të banorëve, ka marrë kampione të ujit të pijshëm në disa pika të rrjetit të Ujësjellësit të Shupenzës dhe i ka dërguar për analizë.
Në bazë të këtyre indicieve, Ora News kontaktoi me bluzat e e bardha të Qendrës Shëndetësore në Shupenzë, për tu informuar në lidhje me numrin e personave të prekur dhe shkakun e helmimit, por nuk arriti dot të marrë një informacion.
