Turizëm jo vetëm në verë, Biznesi: Mungesa e infrastrukturës dënon Vlorën
Në ditën Botërore të Turizmit për jugun, që nga Vlora, fshatrat e bregut deri në Sarandë, sezoni konsiderohet i mbyllur. Pavarësisht ditëve me diell, jugu nuk ka më vizitorë, por as kapacitet akomodues, pasi bizneset ndërsa paguajnë taksa vetëm për verën, detyrohen t’i vënë drynin në përfundim të sezonit.
Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistik në Jug, Vasil Bedini liston një sërë faktorësh që privon jugun nga turizmi gjithëvjetor, duke nisur me mungesën e infrastrukturës për aktivitete tërheqëse për vizitorë, kryesisht ata të huaj.
Ndonëse po promovohet ndërkombëtarisht si destinacion turistik Shqiperia ngelet ende ne kushtet e turizmit alternativ, pa guida të mirëfillta dhe harta të vendeve domethënëse për historinë dhe kulturën e vendit tonë. Ndërkohë që deti këtë fundvjeshte, mbetet vetëm dashuria e atyre pak vlonjatëve të rritur buzë tij.
