Tiranë, përkujtohet 70-vjetori i genocidit grek mbi çamët
Në 70-vjetorin e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Shoqata Çamëria ka ftuar të gjithë shqiptarët ti bashkohen tubimit qendror të Javës Came në orën 18:30 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Përmes një komunikate për mediat, Shoqata Çamëria thekson se kushdo që e ndjen veten shqiptar është momenti t’i gjendet në krah Çamërisë për ta çuar çështjen çame më afër zgjidhjes se kurrë më parë.
“Çështja çame i përket çdo shqiptari, pavarësisht se nga cila krahinë vjen, pavarësisht besimit, bindjeve politike, gjinisë. Sot ne kërkojmë mbështetje nga çdo shqiptar që të ngrejë zërin me ne për ta çuar çështjen çame më afër zgjidhjes se kurrë më parë.Prandaj, kushdo që e ndjen veten shqiptar, është momenti t’i gjendet në krah Çamërisë; sot në orën 18:30 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në hyrje të sheshit "Nënë Tereza", për ta kulmuar ashtu siç i ka hije Javën e Kulturës dhe Historisë së Çamërisë.Kombi shqiptar nuk i harron padrejtësitë e bëra ndaj tij. Për këtë arsye, këtë 70 vjetor të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të gjithë duhet të jemi në shesh për të brohoritur “Ne e duam Çamërinë”!”thuhet në deklaratë.
Ndërkaq mbrëmë në qytetin e Vlorës Shoqata Çamëria organizoi një aktivitet festiv me këngë, valle e përkujtime që sollën në kohë gjithë peripecitë që ka kaluar komuniteti çam. Aktiviteti u ndoq nga një numër i madh qytetarësh, pjesa më e madhe e të cilëve i përkiste pikërisht këtij komuniteti.
Përveç përfaqësuesve të shoqatës patriotike Çamëria , përfaqësuesve të forumit të gruas dhe forumit rinor çam, i pranishëm ishte edhe deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri.
