Tragjike: Covid-19 i merr jetën 17-vjeçarit nga Elbasani dhe një nëne të re. Mjekët i shpëtojnë foshnjen
Një 17-vjeçar nga Elbasani është viktima e dytë më e re e Covid në vend. Ai humbi jetën një javë pas shtrimit tek Senatoriumi ku u mbajt për disa ditë në terapi intensive. Një tjetër rast i rëndë po nga ky qytet u regjistrua me humbjen e jetës së një 28- vjeçare shtatzënë me Covid, ndërkohë që mjekët kanë arritur të shpëtojnë fëmijën.
Një 17-vjeçar nga Elbasani ka humbur jetën nga koronavirusi në spitalin Covid 2, ku ndodhej i shtruar prej gati një jave në gjendje të rëndë shëndetësore.
I riu nuk ka pasur asnjë sëmundje tjetër bashkëshoqëruese por gjendja e tij u përkeqësua gjatë qëndrimit në spital në terapi intensive.
Pas vdekjes se foshnjes 16 muajshe për shkak të Covid, i riu nga Elbasani është viktima më e re në moshë në vendin tonë.
Fatkeqësisht një tjetër rast i rëndë është shënuar në spitalin "Shefqet Ndroqi", ku një 28-vjeçare po nga Elbasani ka humbur jetën pak ditë pasi ka sjellë në jetë fëmijën e saj.
Mjekët pasi kanë parë komplikacionet e të resë kanë vendosur që lindja e foshnjes të bëhej në muajin e shtatë të shtatëzënisë.
LEXO EDHE
Luftën me Covid, fatkeqësisht 28-vjeçarja nuk ka mundur ta fitojë, ndërsa foshnja gëzon shëndet të plotë. Një ditë më parë minsitria e Shëndetësisë njoftoi për 13 humbje jetë, ndërsa që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë e kanë humbur jetën 1666 persona si pasojë e koronavirusit.
Policia e Shtetit njoftoi se gjatë fundjavës ka gjobitur me nga 30 mijë lekë 2958 qytetarë për mosvendosjen e maskës ndërkohë që efektivat e Rrugores kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 530 drejtues mjetesh që udhëtonin me persona jo familjarë pa vendosur maskën.
Gjatë kontrolleve janë ndëshkuar edhe 4 subjekte për shkelje të protokolleve anti-Covid ndërkohë që 24 qytetarë janë penalizuar për thyerje të orarit të lëvizjes pas orës 20:00.
