Totozani: Nevojë për investime serioze për të drejtat e fëmijëve
Avokati i Popullit, Igli Totozani, në tryezën e organizuar për të drejtat e fëmijëve i bëri apel qeverisë të përmbushë detyrimet ligjore në zbatim të të drejtave të tyre.
Totozani theksoi se buxheti dhe financat publike duhet të jenë të atilla që të menaxhojnë nevojat e fëmijëve.
Totozani:Investimet e pamjaftueshme sociale, pabarazia e theksuar dhe varfëria e lartë pengojnë zhvillimin e vendit dhe dëmtojnë kohezionin e tij social. Ndaj i takon shtetit që shpesh herë të ndërhyjë dhe të marrë masat e duhura për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e fëmijëve.
Për Totozanin shpenzimi në politika për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sot është një mënyrë investimi në të ardhmen e përbashkët, ndaj dhe institucioni që ai drejton ka disa rekomandime për qeverinë.
Totozani: Hartimin e politikave që sigurojnë shërbime cilësore dhe shëndetësore, investim serioz në rritjen e cilësisë së arsimit.Krijimin e mbojtjes më të madhe sociale për të gjithë fëmijët në nevojë, ngritja e qëndrave të reja ditore, eleminimin e barrierave, përqasje publike, vetëm duke pasur gjithashtu statistika të rregullta dhe të sakta të fëmijëve sipas problematikave që kanë. Pushteti lokal duhet të jetë në gjendje gjithashtu të bëjë planifikime konkrete të programeve mbështetëse për ndërhyrje.
Mediat shpesh kanë evidentuar kushtet e vështira ku jetojnë familjet shqiptare ku më të diskriminuarit janë pikërisht fëmijët që shpesh herë detyrohen të punojnë ose kërkojnë lëmoshë për të siguruar bukën e gojës.
