Tmerri i pritjes në autoambulancë, qytetarja tregon stresin e së shtunës para spitalit “Shefqet Ndroqi”
Prej disa ditësh radhët e gjata të autoambulancave janë transferuar para urgjencës së spitali “Shefqet Ndroqi”. Një qytetare tregon për Ora Neës se ka qenë në ambulancën e 17-të në pritje për të shtruar babanë. Ajo vlerëson si heroike punën e mjekut të urgjencës, por kritikon ashpër menaxhimin e spitaleve.
Mjekë dhe qytetarë denoncojnë çdo ditë radhët e gjata të autoambulancave përpara spitaleve Covid.
Fundjava ishte tejet shqetësuese në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Gjendja fillimisht u denoncua nga mjekët, por kjo pohohet edhe nga vetë qytetarët.
Një prej tyre tregon se ka përjetuar pritjen në radhë për orë të tëra.
"Kur kam ardhur unë isha autoambulanca e 17-të, pra prisnim 16 të tjera në radhë për tu hospitalizuar. Djemtë dhe vajzat e Urgjencës së Tiranës kanë bërë një punë të jashtëzakonshme duke vënë dhe jetën e tyre në rrezik sepse vërtet nuk kishin kushte për tu mbrojtur."
Duke fajësuar keqmenaxhimin e spitaleve, por duke vlerësuar punën e mjekëve, zonja tregon se mjeku roje natën e së shtunës ka bërë një punë heroike, duke u shërbyer pacientëve brenda dhe jashtë spitalit.
"Doktori roje që ishte këtu atë natë dhe dilte dhe kontrollonte këto 17 pacientë, kishte mosha të reja, çuna të rinj me probleme të jashtëzakonshme në frymëmarrje, mbase më keq se im atë, dhe nuk arrinin të shtroheshin brenda pasi nuk kishin oksigjen."
Menjëherë pas intervistës me mediet, zonja e cila qëndronte në oborrin e spitalit Covid 3, është nxjerrë jashtë nga efektivët privatë, një veprim që nuk është bërë më parë për familjarët e tjerë.
