Tirana “zgjohet” e qetë, rrugë pa trafik, pak kalimtarë, biznese të mbyllura

Tirana “zgjohet” e qetë, rrugë pa trafik, pak

Tirana e 1 janarit të vitit që sapo ka trokitur nuk i ngjan fare asaj të mbrëmjes së 31 dhjetorit. Fishekzjarret, atmosfera festive dhe e zhurmshme i ka lënë vendin qetësisë.

Sot është ndër të rrallat ditë kur automjetet e transportit publik mund të lëvizin lirisht.

Nuk ka trafik, në rrugë sheh pak makina, kryesisht të atyre qytetarëve që data 1 janar i gjen në punë dhe pse është ditë pushimi, mes të cilëve edhe gazetarët.

Punonjësit e pastrimit në Bashkinë e Tiranës janë kujdesur që rrugët të pastrohen nga mbeetjet e fishekzjarreve që ndezën qiellin e kryeqytetit një natë më parë.

Rituali i vizitave tek të afërmit për të uruar një vit të mbarë vijon. Ndaj dhe në rrugë të zë syri automjete, por edhe kalimtarë që zgjedhin të shëtisin pak e të shkojnë tek të afërmit e tyre.

Një pjesë e madhe e lokaleve dhe bizneseve i kanë mbajtur të mbyllur qepenat, për të pushuar edhe sot, por jo të gjithë kanë zgjedhur të pushojnë, ndonëse të rralla ka lokale e biznese që ofrojnë shërimet e tyre.

Për shumicën e qytetarëve këto ditë janë një mundësi e mirë për të pushuar e për të marrë energjinë e duhur për sfidat e vitit që sapo ka mbërritur.

Më me fat duket se janë punonjësit e administratës shtetërore të cilët i kthehen punës me 6 janar, sepse ditët e festave pasohen nga pushimet e fundjavës.

EMISIONET