WhatsApp akuzon NSO Group për shkelje të urdhrit gjyqësor, zbulohet një fushatë e re

WhatsApp ka kërkuar nga një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara që të shpallë kompaninë izraelite të spyware-it NSO Group në shkelje të një urdhri gjyqësor, duke e akuzuar se ka vazhduar të synojë përdorues të platformës pavarësisht ndalimit të vendosur nga gjykata.
Sipas WhatsApp, kompania ka identifikuar një fushatë phishing të lidhur me NSO Group, e cila ka synuar më pak se 10 persona në Jordani dhe Liban.
Sulmi përdorte lidhje keqdashëse që i drejtonin përdoruesit drejt faqeve të jashtme, me qëllim mashtrimin e tyre dhe mundësimin e aksesit në sisteme të komprometuara. Megjithatë, WhatsApp theksoi se deri më tani nuk ka prova që pajisjet e personave të shënjestruar janë infektuar ose komprometuar.
Çështja lidhet me një proces të mëparshëm gjyqësor, ku një juri amerikane urdhëroi NSO Group të paguante miliona dollarë dëmshpërblim për një fushatë hackerimi të vitit 2019 që preku rreth 1.400 përdorues të WhatsApp. Pas vendimit, gjykata ndaloi kompaninë të synonte përdoruesit e platformës, ndërsa NSO Group vazhdon të apelojë këtë vendim.
Në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë kibernetike, WhatsApp ka publikuar edhe tregues teknikë të sulmit të dyshuar, duke u dhënë mundësi kompanive të tjera të sigurisë të verifikojnë nëse përdoruesit e tyre janë prekur nga e njëjta fushatë.
Ndërkohë, platforma ka njoftuar edhe prezantimin e bisedave incognito me Meta AI, një funksion i ri që sipas kompanisë garanton privatësi të plotë, duke bërë që përmbajtja e bisedave të mos jetë e aksesueshme as nga vetë Meta.


