Të riut iu gjet drogë gjatë kontrollit, procedohen penalisht edhe 18 protestues të tjerë
Policia ka arrestuar një 21 vjeçar protestues, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet lëndë narkotike e dyshuar si kanabis.
Sipas njoftimit të policisë, A.M. u arrestua në flagrancë, pasi në rrugën “Myslym Shyri” është konstatuar duke protestuar në mënyrë të jashtëligjshme, ku nga kontrolli fizik, iu gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.3 dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A.M., 21 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Shyri”, është konstatuar duke protestuar në mënyrë të paligjshme, ku ka kryer veprime të dhunshme në drejtim të punonjësve të policisë, duke hedhur ndaj tyre sende të forta si gurë, lëndë piroteknike si dhe sende të tjera, ku nga kontrolli fizik, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kanabis”, njofton policia.
Sakaq është arrestuar edhe A.Sh (T)., 33 vjeç, i cili është identifikuar nga pamjet filmike se ka marrë pjesë në protestën e organizuar më 9 dhjetor dhe ditën e djeshme (12 dhjetor).
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 18 protestues të tjerë. Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj efektivëve, është dëmtuar në pjesën e syrit nga një kapsollë 1 punonjës policie.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.
