TAP gati për të transportuar gaz, Yuri Kim: Shqipëria, pjesë integrale të arkitekturës rajonale të energjisë
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e vlerëson Gazsjellësin TAP, i cili sipas saj do ta bëjë Shqipërinë një pjesë integrale të arkitekturës së larmishme rajonale të energjisë
"TAP do të transportojë gaz natyror nga Deti Kaspik në Evropë përmes Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo është strategjikisht e rëndësishme, pasi e bën Shqipërinë një pjesë integrale të arkitekturës së larmishme rajonale të energjisë" shkruan Kim në twitter.
Diplomatja amerikane nënvizon më tej se diversifikimi i energjisë është i barabartë me siguri dhe pavarësi.
Pas gati katër vjet e gjysmë që nga fillimi i ndërtimit, Gazsjellësi Trans Adriatik ka përfunduar në pjesën më të madhe.
Tubacioni i TAP-it është injektuar me gaz natyror nga kufiri greko-turk deri në terminalin pritës në Italinë e jugut. TAP-i është aktualisht duke përfunduar përgatitjet për të filluar fazën operacionale dhe për t’i ofruar kapacitetet tregut në përputhje me OST-të përkatëse.
Pika ndërlidhëse midis tubacionit të TAP-it dhe sistemit të transportit të gazit natyror të Snam Rete Gas në Puglia (Italy) pritet të përfundojë dhe të jetë gati për të transportuar gaz në mesin e nëntorit 2020.
Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
Sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë në vitin 2020.
Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Evropës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP-it në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane.
TAP-i promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu, ai është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.
