Braho: Nuk e kam takuar Frrokun, në spital isha për arsye shëndetësore
Një takim i supozuar i kreut të Komisionit Sigurisë Spartak Braho, në spital me deputetin e arrestuar Mark Frroku, ka sjell një reagim të ashpër të Kryetarit të Parlmentit Ilir Meta, i cili i ka kërkuar sqarim publik, deputetit të partisë së tij.
"Pasi është njohur me lajmin në disa media se sipas burimeve të tyre deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku, në një spital privat në Tiranë, Kryetari i Kuvendit, i ka kerkuar deputetit Spartak Braho të sqarojë publikisht opinionin publik lidhur me të vërtetën. Kryetari i Kuvendit nënvizon me forcë se deputetët duhet të jenë të parët që respektojnë ligjet dhe vendimet e gjykatave aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është kryetar i komis parlamentarë të sigurisë kombëtare."
Meta, i është drejtuar publikisht dhe krereve më të lartë të shtetit dhe të hetimit që të verefikojnë nëse Braho, është takuar ose jo me deputetin Frroku.
"Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar Ministrit të Brendshem Saimir Tahiri, Ministrit të Drejtësisë Nasip Naco dhe Prokurorit të përgjithshëm të verifikojnë e hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur"
Kreu i Kuvendit ka paralajmëruar qëndrim lidhur me cështjen nëse vertetohet një veprimi i tillë i deputetit Spartak Braho.
"Nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur Kryetari i Kuvendit, do të bëjë publik qëndrimin e tij, duke qënë i bindur se asnjë deputet cilido qoftë ai nuk ka të drejtë të sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave"
Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i deputetit Spartak Braho i cili shpjegon se ka qenë në spital për arsye personale shëndetësore .
“Prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më pare, ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë.
Në reagimin për mediat Braho shpjegon se praninë e Frrokut në spitalin gjerman e ka mësuar vetëm në momentin që ka dalë nga ambientet e spitalit gjerman.
“Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku.“
Pas shqetësimeve shëndetësore në zemër deputeti Mark Frroku, ndodhet i shtruar në spitalin gjerman që prej disa ditësh . Ndaj tij Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" pas kërkesës së Prokurorisë si i dyshuar autor i një vrasjeje të ndodhur në Belgjikë .
