Starova: Mesazhi i parë i Osmanit si Presidente ishte i shkëlqyer, Shqipëria të marrë shembullin e zgjedhjeve në Kosovë
Ish-zv. ministri i Mbrojtjes Arian Starova në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini ka analizuar situatën politike në Kosovë pasi Vjosa Osmani u zgjodh Presidente.
Starova shprehet se kjo është një detyrë e vështirë dhe një mision shumë i vështirë për Kosovën në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit. Por Starova shprehet besim plotë se tek zonja Osmani fjalët dhe veprat nuk do ndahen nga njëra-tjetra.
Ai gjithashtu tha se shpresoj që Shqipëria të marrë shembullin e zgjedhjeve të Kosovës pasi për fat të keq sipas tij Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje të lira dhe demokratike.
Tashëm kemi qeverinë Kurti 2 në një përballje të fortë gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, bashkëudhëtare me zonjën Vjosa Osmani e cila u konfirmua si Presidente e Kosovës.
Si i keni parë gjithë zhvillimet në Kosovë?
Starova:"Natyrisht që ndodhën ndryshime të mëdha, të cilat janë frut i vullnetit të një populli të tërë.
Unë mendoj që kanë marrë përsipër një barrë shumë të rëndë, një mision shumë të vështirë dhe të rëndësishëm për Kosovën siç është lufta kundër korrupsionit, përpjekje për forcimin e institucioneve, përpjekjes për të dënuar krimet e luftës që janë bërë nga Serbia, për të bërë drejtësi dhe për t'i hapur rrugën një procesi i cili do të përfundojë me një marrëveshje të shumëpritur nga komuniteti ndërkombëtar.
Një marrëveshje ndërkombëtare që do të marrë fund me njohjen e ndërsjelltë të dy vendeve, të Serbisë dhe Kosovës.
Kjo është një përpjekje shumë madhore.
Votuesit shqiptarë të Kosovës janë të vetëdijshëm për këtë gjë.
Unë mirëpres çdolloj lëvizje pozitive në këtë drejtim, është një detyrë shumë e vështirë, nuk është vendi për të thënë pengesat që janë por le të shpresojmë për të arritur më të mirën. Mirë do të ishte që shembulli i zgjedhjeve në Kosovë të pasohej nga një shembull i dytë edhe në Shqipëri."
Zoti Starova dyshja Kurti-Osmani, shkojnë më të fortë përballë Serbisë në raport me arritjen e dialogut dhe reciprocitetit?
Fjalimi i Vjosa Osmanit, pasi u zgjodh Presidente është interpretuar si një lloj kërcënimi nga ana e Serbisë.
Starova:"Unë e kam ndjekur nga afër të gjithë procesin dhe mendoj që mesazhi që dha Presidentja Vjosa Osmani ishte përtej pritshmërive të mia. Unë kam dëgjuar dje një fjalim të shkëlqyer nga ana e saj.
Aty u dha një ide shumë madhore që pavarësisht se si erdhën punët në Kosovë, pavarësisht se u duk se u dha një goditje në politikë, Presidentja e re hodhi një ide madhore. Ajo i shtriu dorën të gjitha forcave politike të punojnë në bashku për të gjithë, unë do të jem Presidentja e të gjithëve.
Unë kam prirje të besoj që tek ajo zonjë fjalët dhe veprat nuk do ndahen nga njëra-tjetra. Politika duhet të jetë njësh me moralin, ndershmërinë dhe kërkesën. Ajo që më bëri përshtypje është se tha ne nuk mund ta vazhdojmë këtë dialog pa bërë drejtësi për krimet dhe genocidin që është bërë në Kosovë.
Jo nuk është kërcënim për mua, unë mendoj që Kosova dhe institucionet e saj nuk e lakmojnë këtë pozicion që t'i bëjnë kërcënim as Serbisë, as botës, përkundrazi janë mirënjohës për atë që ka bërë komuniteti ndërkombëtar.
Ata kanë folur me logjikën e drejtësisë, sepse nëse dy popuj duan të bëjnë një marrëveshje, duhet që ne thellësinë e zemrës dhe mendjes t'i thonë më fal njëri-tjetrit. Në këtë rast Serbia duhet t'i kërkojë falje Kosovës. Kështu shtrohet në rrugë e paqtë dhe afatgjatë për të dy popujt."
Përsa i përket deklaratave të kryeministrit Kurti për refuzimin e vaksinave kineze të ofruara nga Shqipëria Starova u shpreh se nuk duhen ngatërruar përplasjet ideologjike në situatën në të cilën ndodhemi, dhe Kosova duhet t'i pranonte vaksinat.
"Unë mendoj që tjetër janë përplasjet ideologjike, tjetër janë këndvështrimet dhe interesat e vendeve të veçanta, por kur bëhet fjalë për bashkëpunime, në këtë rast për Covidin, nuk duhet të përzihet diplomacia, po aty ku ka mundësi natyrisht që të pranohen vaksinat dhe nga Rusia dhe nga Kina.
Këtu duhet të bëj një rezervë, unë nuk jam specialist mjekësie. Nëse mjekësia nuk i ka liçensuar këto vaksina dhe nuk i njeh, pra i shikon si të rrezikshme, kjo është tjetër gjë."
Ju thatë se do të ishte mirë që Shqipëria të ndiqte shembullin e Kosovës përsa i përket procesit zgjedhor.
Starova:"Ne nuk kemi bërë asnjëherë zgjedhje që të quhen me vërtet të lira dhe të ndershme për fat të keq. Arsyet janë nga më të ndryshmet por arsyeja kryesore e përmbledhur është përplasja shumë e egër politike midis dy kampeve kryesore politike.
Qeverisjet nuk janë parë si qeverisje që do të jenë shërbëtore të popullit, po janë parë si qeverisje që të kenë përfitime vetjake apo personale. Prandaj unë shpresoj që Kosova të jetë një shembull shumë i mirë edhe për Shqipërinë. Ka ardhur momenti që të krijohet një politikë tjetër dhe bashkëpunimi i parë i atij që fiton duhet të jetë bashkëpunimi përtej linjave partiake për ta bërë Shqipërinë një vend që të dijë të bashkëpunojë."
