Zhvillohet edicioni i parë i Himara Triathlon

Federata Shqiptare e Triathlon-it, në Bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, zhvilluan Edicionin e parë të Himara Triathlon. Kjo garë që përkonte edhe me nisjen e sezonit të ri turistik, përfshinte përshkimin e 750 m not, 20 km me biçikletë dhe 6 km vrapim.
Organizatorët e këtij aktiviteti Helios Billa dhe Flamur Çelaj, me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Triathlon-it, u kujdesën në detaje për një organizim shumë dinjitoz të kësaj gare.
Aktivitetin e përshëndetën presidenti i Federatës Shqiptare të Triathlon, Eduard Dalla, që në të njëjtën kohë ishte edhe garues në këtë aktivitet dhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo.
Gara ishte shumë e luftuar dhe krijoi shumë interes edhe për të pranishmit. Në fund të aktivitetit u shpallën fituesit, ku për djem fitues u shpall Albion Ymeri nga Kosova, në vendin e dytë, Tony Greco nga Italia dhe në vendin e tretë Eduard Dalla nga Shqipëria. Për femra dominuan dy vajza shqiptare, Marsela Luzi dhe Keti Gjipali.
Federata e Triathlon synon që kjo garë të kthehet në traditë për Himarën, me një pjesëmarrje si kombëtare, dhe ndërkombëtare.

