Varane e pranon: Finalja e Botërorit në Katar? Nuk ishim të karikuar si në vitin 2018
Raphael Varane “rikthen kasetën” e kujtimeve. Tani anëtar i bordit drejtues të Comos, ish-mbrojtësi francez nuk mund ta harrojë finalen e mallkuar kundër Argjentinës në Kupën e Botës 2022, në Katar, kur "gjelat" u mposhtën pas një serie penalltish. Ajo finale i kurorëzoi Albicelestët si kampionë të botës për herë të tretë. Njëkohësisht, duke i mohuar Francës triumfin e dytë radhazi në Kupën e Botës, nën drejtimin e Deschamps.
Në episodin e ri të "The Bridge", Varane tregoi prapaskenat e finales në Katar, duke pohuar se ndodhi diçka e pazakontë: "Ajo që ndjeva unë ishte se po luanim një finale…, por nuk e ndjeva si ndeshjen e fundit të jetës sime. Në atë moment duhet të ndihesh i tërhequr nga emocionet, po luan një finale të Kupës së Botës… Kemi luajtur me presionin e ngjarjes, por nuk ishim të shtyrë përpara si më 2018".
Ish-mbrojtësi i Francës shtoi: "Më 2018, qasja ndaj ndeshjes ishte ndryshe, e ndjenim…, flisnim të gjithë para finales. I thonim njëri-tjetrit: Kjo është ndeshja e jetës sonë, nuk ka mundësi tjetër. Nuk mendonim për ‘çfarë nëse humbim’. Jo! Nuk kishte rrugë tjetër, ishte ‘vetëm fitorja’.
A e kam menduar pas finales në Katar? Po, i kam thënë vetes ‘pse nuk e kishim atë marsh më shumë’. Skenari ishte i çmendur, u rikthyem në lojë, patëm ulje-ngritje. Nga ana emocionale duhet kohë për t’u rikuperuar dhe më pas, kur analizon ndeshjen me gjakftohtësi, i thua vetes: Po, është e vërtetë që qasja ndaj finales së Katarit nuk ishte e njëjtë si më 2018".