“Skyscanner”: Saranda kryeson listën e destinacioneve verore për t’u zbuluar në 2026-ën

“Skyscanner”: Saranda kryeson listën e destinacioneve verore

Pushimet verore shpesh lidhen me të njëjtat destinacione të njohura: ishujt grekë dhe Baleare, qytetet klasike të Mesdheut apo vendpushimet bregdetare, që në muajt e verës mbushen shumë shpejt dhe kërkojnë rezervime të hershme, sipas medias italiane “Skyscanner”.

Këto janë destinacione të sigurta, të njohura dhe të vizituara nga shumë turistë, por në të njëjtën kohë nuk përbëjnë të vetmen mundësi për të kaluar pushimet verore pranë detit.

Gjithnjë e më shumë vizitorë po kërkojnë alternativa më të qeta dhe më autentike, destinacione që ofrojnë një përvojë ndryshe nga turizmi masiv, por që ruajnë komoditetin e një pushimi gjithëpërfshirës.

Këto mund të jenë ishuj më pak të njohur, qytete bregdetare me karakter të veçantë, zona në zhvillim turistik ose vende ku natyra dhe kultura ndërthuren në mënyrë të natyrshme.

Ideja nuk është të largohemi nga deti apo nga pushimet relaksuese, por të ndryshojmë mënyrën se si i përjetojmë ato: më pak turma, më shumë hapësirë, më shumë autenticitet dhe më shumë mundësi për të zbuluar vende të reja jashtë itinerareve të zakonshme.

Pikërisht në këtë kontekst, ekspertët e udhëtimeve, kanë bërë një përzgjedhje të disa destinacioneve të pazakonta për verën, ideale për turistët që duan pushime ndryshe, por të lidhura ngushtë me detin dhe natyrën.

Saranda, Shqipëri

Zgjedhja ideale për të zbuluar Rivierën Shqiptare

Saranda është një nga destinacionet më interesante, nëse kërkon një verë ndryshe nga pikat më klasike të Mesdheut.

Nuk është më një destinacion “sekret”, sidomos në muajt e pikut të verës, por mbetet një bazë shumë e mirë, për të eksploruar jugun e Shqipërisë mes plazheve, ekskursioneve dhe siteve arkeologjike.

Qyteti ka një shëtitore bregdetare plot gjallëri, lidhje të mira me zonat përreth, dhe shumë plazhe që mund të vizitohen brenda një dite.

Nga këtu mund të organizoni një vizitë në Ksamil, të shkoni drejt burimit natyror të Syrit të Kaltër ose të kaloni disa orë në Butrint, një sit UNESCO, i banuar që nga periudha parahistorike dhe i formuar ndër shekuj nga grekët, romakët, bizantinët dhe venedikasit.

Saranda dallohet gjithnjë e më shumë, si një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në rajon, falë kombinimit unik të detit të pastër, çmimeve ende konkurruese dhe afërsisë me disa nga plazhet më të bukura të Mesdheut lindor.

Në vitet e fundit, Riviera Shqiptare është kthyer në një alternativë të rëndësishme, për ata që kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e mbipopulluara.

Duhet ditur se: Saranda është shumë e përshtatshme nëse dëshironi të alternoni detin, restorantet, ekskursionet dhe lëvizjet përgjatë bregdetit.

Ksamili është shumë i kërkuar, për këtë arsye mund të jetë i populluar gjatë pikut të sezonit veror.

Butrinti dhe Syri i Kaltër janë zonat ideale për ekskursione në natyrë dhe vendet kulturore.

Përveç Shqipërisë, “Skyscanner” ka rekomanduar edhe disa destinacione të tjera interesante për pushimet verore, si Lastovo në Kroaci, Folegandros në Greqi, Lanzarote dhe El Hierro në Ishujt Kanarie, L’Aia në Holandë dhe Essaouira në Marok.

EMISIONET