Sylvinho prezanton listën: Në fushë dua të shikoj shpirtin e Kombit! (VIDEO)
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho foli në konferencën e shtypit për sfidën e 27 marsit në Poloni por edhe listën e punën që është bërë në këto dy muaj.
"Jam shumë i lumtur për punën që kemi bërë në këto dy muaj në Shqipëri. Kemi parë 240 ndeshje dhe kemi ndjekur rreth 70 lojtarë. Kam takuar shumë prej tyre gjatë gjithë kësaj kohe. Unë jetoj e punoj këtu dhe mendoj se do të jemi gati për Poloninë.
Rëndësi ka që në fushën e lojës të shikojmë një skuadër 100 % shqiptare edhe pse unë jam multikultural e kam lindur në Brazil. Në futboll kanë rëndësi këmbët e mira dhe qarkullimi i topit por mbi të gjitha duhet shpirti i duhur, shpirti i Kombit.
Polonia është e fortë, një Kombëtare e rëndësishme. Ata janë mësuar të luajnë në Kupa Bote apo Europian, por ndeshja është e gjitha për t’u luajtur. Kemi shtatë ditë për t’u përgatitur, do shkojmë atje me shumë dëshirë për të bërë një ndeshje të bukur.
Jam shumë i lumtur edhe për kushtet që ma janë vënë në dispozicion. Tani kemi edhe Shtëpinë e Futbollit gati me të gjitha kushtet. Tani jetoj në Tiranë, jam shumë i kënaqur për këtë fakt. Patëm një stërvitje edhe me Shqipërinë U-17 për të testuar të gjithë infrastrukturën dhe jemi gati për të pritur lojtarët që të nisim stërvitjen këtu.
Kam thirrur Mehmetin sepse po bën një rrugëtim pozitiv në Championship. Kemi nevojë për një lojtar sulmues që luan mirë me të majtën prandaj mendoj se Asani do të na ndihmojë shumë.
Mund të luajmë me 4-3-3 por edhe me 4-2-3-1. Kemi gati disa skema të ndryshme por duhet të shikojmë fillimisht gjendjen e lojtarëve. Të gjithë që mungojnë në këtë grumbullim, mund të jenë pjesë në të ardhmen, dera është e hapur për të gjithë.
Të gjithë janë të rëndësishëm dhe në fokusin tonë e mund të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Këtu e kam fjalën edhe për Muçin e Çekiçin. Dua të theksoj se grumbullim është vetëm për Poloninë. Në të ardhmen sigurisht që do të ketë emra të tjerë. Ka edhe lojtarë të tjerë si Muçolli. Ai është një mëngjarash që më pëlqen shumë. Ai është teknikisht i fortë dhe na bën punë, do e mbaj në vëzhgim.
Kam shkuar në shumë vende për të parë dhe takuar lojtarë që kanë një histori të rëndësishme me Kombëtaren. Të dy portierët i kam takuar e kam folur, Berisha dhe Strakosha nuk kanë luajtur me ekipet e tyre, por ata janë lojtarë të rëndësishëm dhe me eksperiencë. Janë lojtarë të fortë, do shoh nga afër gjendjen e tyre. Të hënën nisim punën dhe do të shohim më mirë se në çfarë gjendjeje janë, si teknike apo fizike. Por janë lojtarë me shumë eksperiencë e të rëndësishëm që na duhen për të krijuar një grup të rëndësishëm. Janë dy lojtarë që e ndjejnë shumë peshën e fanellës ndaj do jenë këtu.
Kombëtarja është një specifikë tjetër, mungesat do të na kushtëzojnë dhe nuk mund të bëjmë gjë. Por nuk dua të qahem, nga mungesat apo problematikat. Ne duhet të kemi gati 3-4 lojtarë për çdo pozicion. Rëndësi ka që të nisim nga puna, dhe të punojmë sa më shumë.
Kjo është puna në një kombëtare. Shikojmë shumë lojtarë dhe që të gjithë janë të rëndësishëm. Të ecim përpara dhe të luftojmë për çdo pikë e në çdo fushë. Vetëm në këtë mënyrë mund të kualifikohemi. Si do t'i motivoj djemtë? Preferoj ta mbaj sekret".