Sot në përvjetorin e vdekjes/ Rrugëtimi në përjetësi i legjendës së boksit, idhullit të ringut, Cassius Marcellus Clay Jr – Muhammad Ali
Pas 32 vitesh beteje me një kundërshtar të fort, siç ishte parkinsoni, legjenda e ringut botëror, ai që shkroi faqen më të lavdishme të historisë së boksit, Cassius Marcellus Clay Jr – Muhammad Ali, të premten e 3 qershorit të viti 2016 u rrëzua për të mos u ngritur më. Ishte shuar një frymë që ngopi kraharorë dhe jetësoi ëndrra, përmbysi mendësi dhe shkallmoi paragjykime, me grusht dhe me vepër, në ring dhe në jetë, me zë dhe me kushtrim, përshkënditi atë yll përjetësie, u ngjit lart për të lënë pas një përmendore kapluese karriere dhe fame.
Boksieri më i mirë i të gjitha kohërave, Muhamed Ali, ndërroi jetë 7 vite më parë, në moshën 74-vjeçare. Ish-Kampioni legjendar i Peshave të Rënda në boks, dhe mbeti i i tillë në histori dhe kujtesë. Ai ndërroi jetë në një spital të Arizonas, ku ishte shtruar për të sprovuar në një ndeshje fatale mundësinë e tij të fundit. Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, sëmundje që iu përshkallëzua edhe nga Parkinsoni. Prejkurë i iku nga ringu, ashtu kryelartë dhe triumfues, të tjera beteja e morën në krahë, për ta ngjitur edhe më lart lavdinë e atij njeriu, që nuk luftoi vetëm me grushte por edhe me shpirt dhe zemër, me mendje dhe me atë vullnet që e ngjiti atë në panteon, si një njeri që aspironte për liri dhe të drejta, për besim dhe dinjitet. Dhe aty mbeti, si një fanar, buzë deteve gjithnjë të trazuar dhe brigjeve kërcënues.
Ali filloi bosin në moshën 12-vjeçare, mbasi i vodhën biçikletën. Ai denoncoi policit Joe Elsby Martin, i cili e ftoi të stërvitej në boks, duke i lënë të nënkuptojë se ka shumë beteja të së drejtës që në realitet duhet fituar me grushte. Martin ishte supervizori i boksierëve të rinj dhe kishte njëe shoë televiziv të quajtur Kampionët e së Nesërmes. Ai arriti te sigurojë stërvitjen e Ali me Fred Stoner, i cili i mësoi të lëvizë m shpejtësinë dhe zhdërvjelltësinë e një kërcimtari. Ali i është borxhli këtij njeriu, i cili i mësoi shkathtësinë dhe aftësinë për t’u bërë boksieri më i madh dhe më i fuqishëm në historinë e boksit të peshave të rënda.
Ka lindur me 17 Janar 1942, dhe quhej Cassius Marcellus Clay, Jr., Muhammad Ali fitoi një reputacion të madh si njeriu i dedikuar në arritjen e qëllimeve dhe realizimin e ëndrrave të tij. Mbas një shkëlqimi në karrierën e boksit – përfshirë këtu të qenurit tre here kampion botë i peshave të rënda në boks – Ali, diagnostikua me sëmundjen e Parkisonit.
Muhammad Ali dhe ” zhdërvjelltësia e tij si një flutur, me thumbimin si blete”, arriti të pushtojë të gjithë botën e ringut të peshave të reëda në boks, për rreth një dekadë e gjysëm. Cassius Clay, siç quhej në adoleshencë, fitoi medaljen e artë në një divizion të lehtë të peshave të rënda në Lojërat Olimpike të vitit 1960. Më vonë ai fitoi titullin kampion i peshave të rënda të botës, dhe u bë personazhi me i shquar në arenën ndërkombëtare, si në ring ashtu dhe jashtë tij. Por ndërsa Ali ngriti pishtarin e ndezur, për të hapur Lojrat Olimpike në Atlanta, Georgia më 1996, krahu i tij u drodh dukshëm. Boksieri legjendar vuante sëmundja e Parkisonit, një gjendje që mund të jetë shkaktuar nga goditje e marra gjatë dyluftimeve me kundërshtarët në ring. Pavarësisht jetës së tij tepër të zënë dhe ndoshta disa herë tepër të diskutuar nga shumë kritikë, Ali vazhdon të jetë figura më e shquar, me e dashur dhe më popullore e shekullit XX. Një drejtues i përsosur, shpesh e thërriste veten “më i Miri,” dhe shumë nga fansat e tij besonin dhe ishin të bindur se ky emër që e meritoi, duke e fituar me besim e vendosmëri, me shpirt e me zemër, në ring e në jetë.
Ai nuk është më prej 7 vitesh, por njeriu dhe boksieri, veprimtari humanist dhe i kurajshmi i sfidave sociale, ai që solli në jetë duke e shndërruar në logos, se mjafton të kesh ëndrra dhe të besosh dhe gjithçka është e munduar. Ai nuk erdhi të ndryshojë botën, por përpjekja e tij është shembulli se si vetëbesimi dhe përkushtimi, vullneti i mirë dhe aspiratat, bëjnë të mundur që pak e nga pak, e tashmja të jetë më e mirë dhe e ardhmja më premtuese. Jeta për të ishte një ring, siç është e secilit prej nesh në fushëbetejat e përmbushjes së ëndrrave.