Shqipëri-Poloni, historiku i përballjeve në prag të “play off”-it për Botërorin 2026

Shqipëri-Poloni, historiku i përballjeve në prag të

Kombëtarja kuqezi do të përballet me Poloninë në Varshavë të enjten në mbrëmje, në sfidën e parë “play off” për Kupën e Botës 2026.

Në total, dy përfaqësueset janë përballur 15 herë, me Shqipërinë që ka regjistruar dy fitore, tre barazime dhe dhjetë humbje.

Ky bilanc tregon qartë vështirësinë e sfidave ndër vite, por njëkohësisht lë të hapur mundësinë për një kthesë në përballjet e ardhshme.

Historia e ndeshjeve nis në vitin 1949, ku Polonia fitoi 2-1 në miqësore. Shqipëria arriti suksesin e parë në vitin 1953, duke triumfuar 2-0 në shtëpi me gola të Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në dekadat që pasuan, polakët dominuan kryesisht përballjet, sidomos në ndeshjet kualifikuese për kompeticionet madhore ndërkombëtare.

Megjithatë, kujtimi më i freskët është pozitiv për Shqipërinë. Fitorja 2-0 në Tiranë më 10 shtator 2023, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me gola të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut përbën një nga rezultatet më të rëndësishme të viteve të fundit.

Ajo ndeshje rriti ndjeshëm besimin në skuadër dhe dëshmoi se kuqezinjtë mund të rivalizojnë me kundërshtarë të fortë.

Polonia vjen në këtë sfidë me një epërsi të lehtë pasi luan në fushën e vet, por suksesi i vitit 2023 ka ndryshuar perceptimin dhe ka shtuar optimizmin në prag të sfidës së radhës.

Ndeshja për “play off”-in e Botërorit konsiderohet një test kyç për ambiciet e Shqipërisë, ndërsa historiku mbetet një sfidë që kuqezinjtë synojnë ta përmbysin me një tjetër paraqitje pozitive./ATSH

EMISIONET