Shorti i Nations League, Duka: Prioritet, sfidat e marsit! Silvinjo: Për momentin jemi të fokusuar te play-off-i i Botërorit 2026

Presidenti i FSHF, Armand Duka ka komentuar shortin e Shqipërisë në Grupin C1 të UEFA Nations League.
Në një prononcim nga Brukseli , aty ku u zhvillua ceremonia e hedhjes së shortit, Presidenti Duka theksoi se ndeshjet fitohen në fushë dhe jo në letër, duke vlerësuar rëndësinë e kompeticion të Nations League, por shtoi se fokusin fillestar është te sfidat e play-off-it të marsit, ku Shqipëria do të tentojë të sigurojë një biletë për në Botërorin 2026.
“Në përgjithësi, unë nuk është se kam menduar ndonjëherë që ndeshjet fitohen në short apo në letër. Ndeshjet dhe kompeticionet fitohen në fushë. Ka shpeshherë raste që mendon se shorti ishte i keq dhe në përfundim të aktivitetit renditesh më mirë dhe anasjelltas. Gjithmonë ka një lloj baraspeshe sportive të skuadrave, sepse ndahen në vazo siç dihen rregullat. Nuk mund të them nëse ishim me fat apo pa fat. Mund të them për një gjë që ishim me fat që nuk kemi ndonjë skuadër që do të udhëtojmë shumë larg. Në Finlandë uroj që të mos luajmë në nëntor, sepse ka goxha temperatura të ulëta dhe nuk është mirë për futbollistët. Gjithsesi është një kompeticion që kemi kohë për ta përgatitur. Jam shumë i sigurt që do ta përgatisim dhe luajmë mirë.
Dihet si për të gjithë shqiptarët dhe për ne sot përqendrimi kryesor janë ndeshjet e play-off-it të marsit, të cilat mund të na sigurojnë biletën e fundit për në Kupën e Botës. Më pas, do të mendojmë edhe për këtë organizim. Uroj që të kemi sukses në mars, uroj që të bëjmë gjithçka mirë me ndeshjet e play-off-it dhe pastaj të fillojmë dhe të mendojmë edhe për Nations League, i cili nuk është një kompeticion më pak i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm jo vetëm për renditjen dhe për të shkuar një grup më lart, por është shumë i rëndësishëm sepse nga ky kompeticion mund të sigurojmë edhe një vend në play-off-in e kualifikueseve të Europianit. Do ta bëjmë sa më mirë, do ta përgatisim sa më mirë dhe uroj që të kemi të gjithë futbollistët, akoma edhe më shumë të rinj, për ta luajtur sa më mirë këtë kompeticion”, tha Presidenti Duka.

Kombëtarja shqiptare njohu mbrëmjen e djeshme kundërshtarët për UEFA Nations League, me shortin e hedhur në Bruksel, që e pozicionoi Shqipërinë në Grupin C1, përballë Bjellorusisë, Finlandës dhe San Marinos.
Megjithatë, pavarësisht shortit dhe kundërshtarëve të përcaktuar, fokusi i kuqezinjve mbetet te sfida më e afërt dhe më e rëndësishme, ndeshjet e fazës play-off të Botërorit 2026. Në një prononcim, trajneri i Kombëtares, Silvinjo, u ndal te rëndësia e momentit aktual dhe përqendrimi i skuadrës.
“Është gjithmonë një kompeticion shumë i vështirë, shumë i bukur. Luhet në një mënyrë shumë të shpejtë, zgjat praktikisht dy-tre muaj. Këtë herë bëhet në dy muaj. Gjithçka luhet shumë shpejt, është një kompeticion i bukur. Kemi parë këtu shumë skuadra të forta.
Dhe pastaj, për ne nuk është e lehtë të mendojmë edhe për Nations League, pra të arrijmë në atë moment, sepse ne e kemi mendjen prej rreth një muaji e gjysmë duke punuar për play-off-et.
Është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, si federatë dhe si vend, por sigurisht… tani presim që të vijë momenti i duhur. Një grup gjithmonë shumë i vështirë, por në këtë moment e kemi mendjen te play-off-i i marsit” – tha trajneri Silvinjo për fshf.org.
Shorti: Sfidë e fortë për Italinë me Francën, Belgjikën dhe Turqinë
Një rrugë e kalueshme, por me sfida të balancuara e pret Italinë në Ligën e Kombeve të ardhshme. Shorti i hedhur sot në Bruksel ka vënë përballë Kombëtares së drejtuar nga Gattuso, Francën, Belgjikën dhe Turqinë. Janë shmangur kundërshtarë të frikshëm si Anglia dhe Norvegjia, të cilat ishin në vazon e tretë. Ndërsa pritet të mësohet nëse do të marrin pjesë në Kupën e Botës të ardhshme në Amerikën e Veriut (“Kam ndjenja pozitive për play-off-et”, ka deklaruar sot presidenti i FIGC, Gabriele Gravina), ‘Axurrët’ kanë mësuar rrugëtimin e tyre në kompeticionin e UEFA-s që, që nga sezoni 2018-19, ka zëvendësuar ndeshjet miqësore.
Ndeshjet e fazës së grupeve do të luhen mes shtatorit dhe nëntorit të ardhshëm, çerekfinalet në mars 2027, ndërsa faza finale është programuar për në qershor të vitit të ardhshëm. Dy skuadrat e para të çdo grupi të Ligës A do të kalojnë në çerekfinale, ndërsa të tretat do të luajnë play-off për të shmangur rënien në Ligën B me një nga të dytat e kësaj serie. Skuadrat e katërta do të bien direkt nga kategoria.
Ja përbërja e grupeve të Ligës së Kombeve:
**LIGA A**
Grupi 1: Franca, ITALIA, Belgjika dhe Turqia.
Grupi 2: Gjermania, Holanda, Serbia dhe Greqia.
Grupi 3: Spanja, Kroacia, Anglia dhe Republika Çeke.
Grupi 4: Portugalia, Danimarka, Norvegjia dhe Uellsi.
**LIGA B**
Grupi 1: Skocia, Zvicra, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.
Grupi 2: Hungaria, Ukraina, Gjeorgjia dhe Irlanda e Veriut.
Grupi 3: Izraeli, Austria, Irlanda dhe Kosova.
Grupi 4: Polonia, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania dhe Suedia.
**LIGA C**
Grupi 1: Shqipëria, Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.
Grupi 2: Mali i Zi, Armenia, Qipro dhe Gjibraltar ose Letoni.
Grupi 3: Kazakistani, Sllovakia, Ishujt Faroe dhe Moldavia.
Grupi 4: Islanda, Bullgaria, Estonia dhe Malta ose Luksemburgu.
**LIGA D**
Grupi 1: Gjibraltar ose Letoni, Malta ose Luksemburgu, Andorra.
Grupi 2: Lituania, Azerbajxhani dhe Lihtenshtajni.
Ndeshjet e ditës së parë të grupeve të Ligës së Kombeve 2026-27 do të zhvillohen mes 24 dhe 26 shtatorit 2026, ndërsa ato të ditës së gjashtë dhe të fundit janë parashikuar mes 15 dhe 17 nëntorit 2026.
Në mars 2027, mes datave 25 dhe 30, janë programuar çerekfinalet e Ligës A dhe play-off-et e ligave të tjera. Fazat finale, në një vend që do të përcaktohet, do të zhvillohen mes 9 dhe 13 qershorit 2027.


