Plani sekret i kombëtares, Halili: Ja çfarë do të ndodhë me skemën e lojës në shtator

Plani sekret i kombëtares, Halili: Ja çfarë do të

Ndeshjet e fundit miqësore të sezonit po kthehen në një provë të vërtetë për ekipin përfaqësues, por jo gjithçka po shkon sipas planit. Përtej asaj që duket në fushën e gjelbër, lodhja e një sezoni të gjatë dhe mendja te pushimet verore po ndikojnë ndjeshëm në paraqitjen e futbollistëve.

Në një lidhje të drejpërdrejtë në "Sport Focus", ishte gazetari, Erjon Halili, i cili u shpreh se pas më shumë se dy javësh mungesë aktiviteti në klubet e tyre, një pjesë e mirë e lojtarëve duket se mezi presin të përfundojnë 90 minutat e mbetura kundër Luksemburgut për t'u shpërndarë drejt pushimeve, duke bërë që impenjimi dhe përqendrimi mendor të mos jenë maksimalë.

Në këtë situatë komplekse, trajneri Maran po përpiqet të shfrytëzojë këto përballje për të testuar idetë e tij taktike. Qëllimi kryesor është krijimi i një skuadre "kameleon", e cila është e aftë të ndryshojë vazhdimisht formacionin nga faza mbrojtëse në atë sulmuese. Kjo strategji fleksibël synon të çorientojë kundërshtarët, duke mos u dhënë pika referimi gjatë lojës.

" Kështu që, këto dy ndeshje janë test, janë një mundësi shumë e mirë për të që t'i shikojë futbollistët në të gjitha dimensionet dhe të krijojë një ide më të plotë edhe ai për skuadrën, sepse është ndryshe ta shikosh nga jashtë dhe është ndryshe të shikosh se si i përshtaten ata në fushë kur ti je duke e ndjekur ndeshjen vetëm pak metra larg nga pankina. Pra është një fat po themi për trajnerin Maran që ka këto dy ndeshje miqësore. Të mos harrojmë që duhet ta theksonim që në fillim, janë miqësore të fundit të sezonit dhe shumë futbollistë edhe impenjimin nuk e kanë maksimal, pasi sezoni është shumë i ngarkuar dhe janë disi me mendjen tek pushimet. Një pjesë e mirë e futbollistëve kanë më tepër se dy javë që e kanë mbyllur me futbollin në klubet e tyre dhe mezi presin të mbarojë edhe ai 90 minutëshi me Luksemburgun dhe të shpërndahen.

Por testi i vërtetë i Shqipërisë do të jetë Liga e Kombeve në muajin shtator. Këto dy ndeshje besoj që trajneri Maran do të nxjerrë shënimet e nevojshme dhe të kuptojmë nëse mund të vazhdojë të ngulë me këto idetë e veta, pra me një skuadër kameleon le të themi, që ndryshon rreshtimin disa herë gjatë ndeshjes, ndryshe si është në fazën mbrojtëse, ndryshe në fazën sulmuese e të tjerë. Apo do të duhet të kthehet në shtator tek një rreshtim më i sigurt, tek një skemë taktike më e sigurt të cilën ne e njohim mirë dhe jemi më, si të thuash shprehen më mirë edhe futbollistët. Mos harrojmë që skemat e preferuara të Maran janë jo larg atyre të Sylvinhos. Gjatë karrierës së vet, trajneri Maran ka luajtur me 4-3-1-2 ose 4-3-2-1. Pra Sylvinho ka luajtur qoftë 4-3-1-2-shin, qoftë 4-3-3-shin, diçka gjëra të ngjashme. Kështu që mendoj që nëse nuk do të arrijë të shikojë rezultat me këtë idenë e tij të thjeshtë, pra një skuadër që transformohet shpesh gjatë 90 minutëshit dhe nuk i jep mundësi as kundërshtarit të krijojë një ide mbi mënyrën e lojës, atëherë besoj që në shtator, aty ku fillojnë llogariten pikët, ku merr vlerë ndeshja më tepër, besoj që do të kthehet tek më e sigurta, tek një rreshtim 4-3-3 apo 4-3-1-2 ku edhe futbollistët ndihen më mirë pasi kanë disa kohë që luajnë me Sylvinhon me atë lloj skeme dhe do të mund të shprehen më mirë", u shpreh Halili.

EMISIONET