Pas një sezoni fantastik në Serie A, Ylber Ramadani përfundon në radarët e Torinos!

Pas një sezoni fantastik në Serie A, Ylber Ramadani përfundon

Pas një sezoni të shkëlqyer me Lecce në Serie A, Ylber Ramadani ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, me Torinon që e ka vendosur në krye të listës së dëshirave.

Ylber Ramadani vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur të futbollistëve shqiptarë në merkaton e verës. Mesfushori kuqezi mbylli një sezon shumë pozitiv me Leccen në Serie A, duke u dalluar jo vetëm për paraqitjet e tij, por edhe si lojtari që përshkroi më shumë kilometra gjatë kampionatit.

Kontributi i Ramadanit ishte vendimtar në arritjen e objektivit të Lecces për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit italian. Pikërisht për këtë arsye, klubi aktivizoi klauzolën për zgjatjen e kontratës së tij edhe për një sezon tjetër.

Megjithatë, rinovimi nuk garanton qëndrimin e tij. Sipas raportimeve të "TuttoSport", Torino e ka identifikuar Ramadanin si një përforcim ideal për repartin e mesfushës. Klubi granata vlerëson aftësitë e tij fizike, disiplinën taktike dhe energjinë që sjell në lojë.

Interesimi nuk vjen vetëm nga Serie A. Media italiane bën të ditur se edhe një klub i Bundesligës po ndjek nga afër situatën e mesfushorit shqiptar, edhe pse emri i skuadrës nuk është bërë ende publik.

Ramadani ndihet i vlerësuar te Lecce dhe ka qenë një nga pikat kyçe të projektit të klubit në vitet e fundit. Megjithatë, duke hyrë në vitin e fundit të kontratës, Lecce mund të shqyrtojë ofertat që do të mbërrijnë për të, për të shmangur rrezikun e humbjes së lojtarit me parametra zero në fund të sezonit.

Vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Ylber Ramadanit, me interesin nga Italia dhe Gjermania që po bëhet gjithnjë e më konkret.

EMISIONET