Një tjetër Bellingham në Gjermani? Jobe ndodhet në Frankfurt për të negociuar me Eintracht-in

Një tjetër Bellingham në Gjermani? Jobe ndodhet në Frankfurt

Pas suksesit të madh të Jude Bellingham në Gjermani dhe tashmë te Real Madridi, duket se një tjetër anëtar i familjes Bellingham mund të ndjekë të njëjtin rrugëtim.

Jobe Bellingham, mesfushor i talentuar i Sunderland-it dhe vëllai më i vogël i Jude, ndodhet aktualisht në Frankfurt për të zhvilluar bisedime me klubin e Eintracht-it, një prej skuadrave të Bundesligës që ka shfaqur interes të madh për të.

Sipas raportimeve të ‘Sky Sports UK’, interesimi për 19-vjeçarin nuk kufizohet vetëm te Eintracht-i: edhe Borussia Dortmund, ish-klubi i Jude, si dhe RB Leipzig, janë në garë për të siguruar shërbimet e tij.

Dortmund-i tashmë ka zhvilluar një takim në Angli me Jobe dhe përfaqësuesit e tij në fillim të majit, duke u bazuar edhe në marrëdhënien e mirë me familjen Bellingham.

Jobe po vjen nga një sezon pozitiv me Sunderland-in, i cili përfundoi me fitoren në finalen e playoff-it ndaj Sheffield United dhe ngjitjen në një kategori më të lartë.

Me një fizik të fortë, teknikë të mirë dhe përvojë që po rritet ndjeshëm për moshën e tij, ai është gati për një sfidë më të madhe në një kampionat më konkurrues si Bundesliga.

Vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të marrë një vendim përfundimtar brenda kësaj jave, duke e bërë të mundur që në ditët në vijim të mësohet destinacioni i tij i ardhshëm.

Një tjetër Bellingham në Gjermani? Mund të mos jetë thjesht një rastësi, por një histori që po përsëritet me sukses.

EMISIONET