Matematikani që parashikoi tre kampionët e fundit të botës, gabon për Botërorin 2026!

Matematikani që parashikoi tre kampionët e fundit të botës,

Matematikani gjerman Joachim Klement, i njohur për parashikimet e sakta të fituesve të tre Kampionateve të fundit Botërore, nuk ka arritur të përsërisë suksesin e tij në Botërorin 2026.

Klement kishte parashikuar se Holanda do të fitonte trofeun, por kombëtarja holandeze u eliminua që në fazën e 1/16-ave të finales, pasi u mposht nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.

Eksperti gjerman kishte fituar vëmendjen e opinionit sportiv pasi kishte parashikuar me sukses triumfin e Gjermanisë në vitin 2014, Francës në vitin 2018 dhe Argjentinës në vitin 2022.

Modeli statistikor i përdorur prej tij bazohet në një sërë faktorësh, përfshirë Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, numrin e popullsisë, rëndësinë e futbollit në shoqëri, renditjen në FIFA, si dhe elementin e fatit.

Sipas simulimit të kryer para nisjes së turneut, Klement kishte projektuar gjysmëfinalet Portugali-Angli dhe Holandë-Spanjë. Në skenarin e tij, Holanda do të triumfonte në finale ndaj Portugalisë së udhëhequr nga Cristiano Ronaldo.

Megjithatë, vetë matematikani kishte paralajmëruar më herët se futbolli mbetet i paparashikueshëm dhe se asnjë model nuk mund të garantojë rezultatet në fushë.

“Futbolli është diçka irracionale, një lloj lotarie. Nëse dikush vendos bast duke u bazuar te parashikimet e mia, nuk po vepron me mençuri, pavarësisht se kam parashikuar saktë tre fituesit e mëparshëm”, është shprehur Klement.

Dështimi i parashikimit për Botërorin 2026 konsiderohet si prova më e fundit se edhe modelet më të sofistikuara statistikore nuk mund të parashikojnë gjithmonë surprizat që sjell futbolli.

EMISIONET