Manchester City hap “thesin”, transferon për shumën marramendëse mesfushorin e Anglisë

Manchester City ka arritur marrëveshje me Nottingham Forest për transferimin e mesfushorit Elliot Anderson për shumën e 116 milionë paund, një lëvizje që do ta bëjë 23-vjeçarin futbollistin britanik më të shtrenjtë në histori.
Shifra prej 116 milionë paundësh është fikse, pa bonuse shtesë, dhe përbën gjithashtu blerjen më të shtrenjtë në historinë e Manchester Cityt, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 100 milionë paundësh të paguar për Jack Grealish në vitin 2021.
Transferimi i Anderson është gjithashtu i dyti më i shtrenjtë në historinë e Premier League, pas kalimit të Alexander Isak te Liverpool për 125 milionë paund verën e kaluar.
Sipas raportimeve, Anderson ka marrë lejen për t’iu nënshtruar testeve mjekësore në Nju Jork, ku ndodhet me kombëtaren e Anglisë për Kupën e Botës 2026. Mesfushori ka qenë titullar në të dyja ndeshjet e fazës së grupeve, duke formuar repartin e mesfushës së bashku me Declan Rice.
Anderson do t’i bashkohet një Manchester City në proces rindërtimi. Pas largimit të Pep Guardiolës, drejtimin e skuadrës pritet ta marrë Enzo Maresca, ndërsa Bernardo Silva është transferuar te Real Madrid. Gjithashtu, e ardhmja e Rodrit në “Etihad” mbetet e paqartë, duke e bërë afrimin e Anderson një prioritet për mesfushën.
Ndërkohë, Nottingham Forest ka nisur kërkimet për zëvendësuesin e tij. Në listën e dëshirave janë Lucas Bergvall i Tottenham Hotspur dhe mesfushori i Interit, Davide Frattesi.

