Kosova mposht Andorrën 3-0! “Dardanët” dominim total në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës ka shënuar një fitore të pastër me rezultat 3-0 ndaj Andorrës në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, “Dardanët” treguan dominim gjatë gjithë takimit duke siguruar një triumf të merituar.
Goli i parë erdhi në pjesën e parë si autogol i portierit mik Iker Álvarez në minutën e 41-të.
Në pjesën e dytë, Albion Rrahmani u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 53-të për të dyfishuar shifrat, ndërsa fitoren e vulosi Valmir Matoshi me një gol në minutën e 78-të të ndeshjes.
Përtej asaj që u pa në fushën e gjelbër, kjo përballje u karakterizua nga një atmosferë e ftohtë dhe një mungesë e dukshme e tifozeve në shkallët e stadiumit.
Arsyeja kryesore për këtë pjesëmarrje të ulët ishte përkimi i ndeshjes me ditën e zgjedhjeve që u mbajtën sot në Kosovë, gjë që zhvendosi vëmendjen kryesore të qytetarëve drejt këtij procesi elektoral.

