Interi në finalen e 15 të Kupës së Italisë, Dimarco mposht Juventusin në “San Siro” (VIDEO)
Derbi i Italisë shtyn Interin në finalen e Kupës së Italisë që do të luhet në 24 maj në stadiumin “Olimpico” të Romës sipas të gjitha gjasave, kundër Fiorentinës.
Në Milano ndeshja foli kryesisht për zikaltërit e Simone Inzaghit që e kontrolluan dhe e fituan minimalisht me golin e Dimarcos pas asistit të Barrella-s në pjesën e parë. Zikaltërit treguan karakter për të siguruar fitoren e tretë rresht mes Europës, kampionatit dhe Kupës por ky sukses mund të sjellë edhe një trofe për ekipin zikaltër që synon kupën e 9 dhe të dytën rresht.
Në krahun tjetër, Juventusi nuk bëri asgjë dhe u tregua i pafuqishëm për të vendosur në vështirësi ekipin rival ndërsa kjo është humbja e dytë rresht për bardhezinjtë që tashmë duhet të fokusohen te gjysmëfinalja e Europa League dhe te beteja në kampionat për një vend në zonën Champions.
Akti i dytë i derbit të Italisë mbylli edhe një spirale të gjatë polemikash që nisi me fundin e sfidës së parë për shkak të koreve raciste në adresë të Lukakut dhe sherrit masiv mes lojtareve të dy skuadrave.