“Haaland si lojtar i ligës së dytë”, Guardiola i përgjigjet Roy Keane për komentin befasues
Roy Keane bëri një vlerësim të ashpër të performancës së Erling Halandit në barazimin 0-0 të Mançester Sitit me Arsenalin në “Etihad”. Ish-kapiteni i Mançester Junajtid beson se kjo paraqitje është tregues i cilësisë së përgjithshme të sulmuesit norvegjez.
“Nivelet e lojës së tij të përgjithshme janë kaq të dobëta, dhe jo vetëm sot. Goditjet me kokë, apo çfarëdo që mund të jetë për sa i përket golit, janë më të mirat në botë. Mendoj se ai duhet të përmirësohet, sepse është pothuajse si një lojtar i Ligës së Dytë. Kjo është mënyra se si unë e shikoj atë, loja e tij e përgjithshme duhet të përmirësohet dhe do të ndodhë gjatë viteve të ardhshme”, tha irlandezi.
Në prag të ndeshjes ndaj Aston Villa-s, e planifikuar për këtë mbrëmje, Guardiola mbrojti Haaland nga sulmet e Roy Keane.
“Jam i habitur që këto fjalë vijnë nga një ish-lojtar. Unë nuk jam aspak dakord me të. Është sikur të thoshte se unë jam trajner për ligën e dytë apo të tretë. Fatkeqësisht kujtimet zbehen shpejt, ata vetë ndiheshin të lënduar kur kritikoheshin nga ish-lojtarët.
Erling Haaland është sulmuesi më i mirë në botë, ai na ndihmoi të fitonim tripletën sezonin e kaluar. Arsyeja pse nuk krijojmë shumë mundësi nuk është për shkak të Erling. Ne kemi nevojë për më shumë prani në një të tretën e fundit të fushës, me më shumë lojtarë. Haaland është i jashtëzakonshëm”, deklaroi Guardiola.