Grushtet dhe shkuljet e flokëve te femrat në derbin e kryeqytetit: "Lojtareve t’u bëhet test droge!"

Sherri në derbin e dytë gjysmëfinal ndërmjet Partizanit dhe Tiranës në Kategorinë e Parë të basketbollit për femra tronditi mbarë opinionin sportiv në vend.

Grushtet dhe shkuljet e flokëve te femrat në derbin e kryeqytetit:

Pallati i sportit “Asllan Rusi” u kthye në arenë përleshjesh mes lojtareve të të dyja skuadrave menjëherë pas mbylljes së takimit, ndërsa të tjerë u futën nga jashtë duke e përshkallëzuar edhe më shumë përplasjen.

Pas kësaj ngjarjeje, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me drejtoreshën e Tiranës, Deborah Keçi, e cila ishte gjithashtu e pranishme në sallë gjatë këtij incidenti.

Në prononcimin e saj Deborah dënon dhunën, ndërsa mohon se nga ekipi bardheblu ka pasur sjellje provokuese apo raciste. Ajo thotë se përgjegjëset kryesore për ngjarjen janë lojtaret amerikane të Partizanit, për të cilat shprehet se gjatë të gjithë kohës kanë provokuar me fjalë dhe gjeste.

Jo vetëm kaq, por drejtoresha bardheblu i bën apel FSHB-së që të bëjë teste droge, pasi sjellja e lojtareve të Partizanit në parket sipas saj nuk ishte normale.

Deborah, cili është komenti juaj si drejtoreshë e Klubit Tirana për skenat e dhunës në derbin e basketbollit të femrave?

Nëse nuk do të kisha qenë prezente vetë në atë situatë dhe nuk do ta shikoja nga afër, atëherë nuk do të flisja apo reagoja. Isha në sallë dhe i kam parë të dyja ndeshjet, edhe gjysmëfinalen e parë në fushën tonë, ashtu sikurse edhe të dytën. Tani, në momentin që lojtaret e Partizanit, të cilat nuk e di a janë të fryra apo të mësuara nga dikush, sepse nuk besoj që ato të vijnë përtej oqeanit dhe të kenë këtë lloj urrejtje ndaj lojtareve të Tiranës. Nuk dua të aludoj, por gjatë të gjithë kohës në ndeshje, ato bënin gjeste antisportive ndaj lojtareve tona, bënin gjeste ndaj pankinës si dhe ndaj tifozëve. Pra është diçka që ka nisur që në gjysmëfinalen e parë. Lojtaret e Partizanit flisnin dhe hidhnin fjalë ndaj trajneres dhe gocave tona në fushë dhe në stol. Por edhe pse një situatë tillë, për asnjë moment nuk u dha qoftë thjesht edhe një paralajmërim nga arbitrat për këto veprime. Lojtarja ishte duke dribluar, ndërsa kjo i përplaste duart në fytyrë. Të gjitha këto gjeste të përsëritura prej tyre janë akumuluar, pra janë mbledhur dhe nuk është se ishte një shpërthim i momentit.

Pra sipas jush gjithçka ka ardhur nga sjellja provokuese e lojtareve amerikane të Partizanit?

Po, që në ndeshjen e parë që u zhvillua në “Farie Hoti”. Unë isha vetë aty prezente dhe po takoja trajneren e skuadrës sime, ndërsa njëra prej atyre vajzave dhe na ofendon “bye bye, f*ck off”. Pra diçka komplet pa lidhje, pasi nuk po i provokonte askush. Në gjithë historinë gjatë këtyre tri viteve që unë jam në krye të Tiranës nuk ka pasur shans që të ndodhin jo të tilla degradime, por as sherri më i vogël i provokuar nga sportistet tona. Në radhë të parë ne kemi në klub qytetare të mira dhe më pas sportiste të mira. Filozofia jonë është që të afrojmë qytetare të mira, të edukuara dhe më pas sportiste të mira. Ky është një parim kryesor që unë kam në klub. Nuk mund të marr kurrsesi lojtare provokuese, pa etikë dhe që nuk dinë rregullat.

EMISIONET