Shqipëria me më pak shtretër spitalorë se mesatarja e Europës, vetëm 372 për 100 mijë banorë

Shqipëria me më pak shtretër spitalorë se mesatarja e

Në Shqipëri, në vitin 2024 në institucionet publike të shërbimit spitalor, ishin në dispozicion 8,911 shtretër, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT. Në krahasim me popullsinë e atij viti, prej 2.39 milionë banorë, në vend ka 372 shtretër për 100 mijë banorë.

Duke i krahasuar këto të dhëna më shifrat e fundit të publikuara nga Eurostat, që nuk e përfshijnë Shqipërinë, rezulton se në raport me shtetet e tjera të Europës, apo dhe rajonit, vendi ka më pak shtretër në raport me popullsisë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 507 shtretër për 100 mijë banorë dhe mbetet pas shumë vendeve, përfshirë dhe ato të rajonit, për të cilat ka të dhëna.

Rekordin në rajon e ka Serbia (606 shtretër) e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 4520 (të dhënat e vitit 2021) dhe Mali i Zi (387).

Pavarësisht se popullsia e Shqipërisë është tkurrur dekadat e fundit, duke “lehtësuar” barrën në spitale dhe treguesi për shtretër në raport me popullsinë është përmirësuar në krahasim me 2014-n, kur ishte 296 shtretër për 100 mijë banorë, sërish vendi vijon të mbetet afër fundit të Europës.

Në vitin 2014 në institucionet publike kishte 8295 shtretër, sipas INSTAT dhe një dekadë më vonë numri i tyre është rritur lehtë me 7.4%, por përmirësimi i treguesit ka ardhur më shumë nga rënia e popullsisë me 400 mijë banorë në të njëjtën periudhë.

Ndërsa popullsia si numër është në rënie, barra e sëmundjeve në fakt ka ardhur në rritje, si rrjedhojë e popullsisë, duke shtuar presionin mbi spitalet shqiptarë, që përveçse kanë më pak shtretër se shumë shtet në Europë, po vuajnë dhe nga emigracioni i mjekëve. Për më tëpr, që shumë spitale rajonale janë kthyer në ambulanca dhe ndërhyrjet e vështira realizohen në spitalet e Tiranës, duke i mbipopulluar këto të fundit.

Shqipëria humbi gati një të katërtën e popullsisë në 25 vjet, rënia më e lartë në Europë

Europa, diferenca të mëdha mes veriut dhe lindjes

Sipas Eurostat, në vitin 2024 në Bashkimin Europian kishte mesatarisht 507 shtretër spitalorë për 100 mijë banorë. Megjithatë, kapacitetet ndryshojnë ndjeshëm nga një shtet në tjetrin, duke reflektuar organizimin, financimin dhe historinë e sistemeve kombëtare të kujdesit shëndetësor.

Bullgaria kishte treguesin më të lartë, me 870 shtretër për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Gjermania me 759, Rumania me 731, Moldavia me 709 dhe Austria me 655 shtretër.

Mbi mesataren e BE-së renditeshin edhe Çekia, Hungaria, Polonia, Belgjika, Lituania dhe Franca. Këto vende kanë ruajtur kapacitete relativisht të mëdha spitalore, ndërsa sistemet e tyre shëndetësore vazhdojnë të mbështeten në një masë më të lartë te trajtimi në spitale.

Në skajin tjetër të renditjes ishte Suedia, me vetëm 187 shtretër për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Lihtenshtajni me 220, Holanda me 221, Danimarka me 226 dhe Finlanda me 248 shtretër.

Numri i ulët i shtretërve në disa prej vendeve më të zhvilluara nuk nënkupton domosdoshmërisht një sistem më të dobët shëndetësor. Vendet e Europës Veriore kanë zhvendosur një pjesë të trajtimeve drejt shërbimit ambulator, kujdesit në banesë dhe ndërhyrjeve që nuk kërkojnë qëndrim të gjatë në spital. Si rrjedhojë, pacientët shtrohen më rrallë dhe qëndrojnë për periudha më të shkurtra.

Por kjo logjikë nuk mund të zbatohet automatikisht për Shqipërinë. Vendi ka vetëm 372 shtretër për 100 mijë banorë, pa pasur në të njëjtën kohë një rrjet të krahasueshëm të kujdesit ambulator, shërbimeve në banesë dhe trajtimeve të decentralizuara. Përkundrazi, për ndërhyrjet më të vështira pacientët orientohen kryesisht drejt spitaleve të Tiranës, duke shtuar presionin mbi pak institucione qendrore.

Shqipëria kishte më shumë shtretër për banor se Portugalia, Qipro, Norvegjia, Turqia, Italia, Irlanda, Spanja, Finlanda, Danimarka, Holanda, Lihtenshtajni dhe Suedia. Por shumica e këtyre vendeve kanë sisteme më të zhvilluara të diagnostikimit, parandalimit dhe trajtimit jashtë spitalit, si dhe burime njerëzore e financiare shumë më të mëdha.

Krahasimi duhet lexuar me kujdes edhe për shkak të metodologjisë. Shifra e Shqipërisë prej 8,911 shtretërish i referohet institucioneve publike të shërbimit spitalor, ndërsa të dhënat e Eurostat mund të përfshijnë kategori më të gjera institucionesh, sipas raportimit të secilit vend. Megjithatë, treguesi evidenton kapacitetet e kufizuara të sistemit publik shqiptar, ku realizohet pjesa kryesore e shërbimeve të rënda dhe urgjente./Monitor

EMISIONET