Febron Ziu: Botërori me 48 skuadra ka ulur nivelin, kalendari po i rraskapit futbollistët

Formati i ri i Kupës së Botës me 48 skuadra dhe kalendari i ngarkuar i futbollit kanë hapur një debat të gjerë mbi cilësinë e turneut. I ftuar në emisionin "Ora e Botërorit", analisti sportiv Febron Ziu analizoi arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në rritjen e numrit të golave dhe në uljen e ekuilibrit mes skuadrave.

Sipas Ziut, zgjerimi i turneut ka sjellë pjesëmarrjen e ekipeve që më parë nuk do të kishin mundur të siguronin një vend në Kupën e Botës, duke krijuar diferenca të dukshme në nivel.

"Duhet parë që sasia e golave mund të ndikojë edhe nga fakti që skuadrat luajnë më shumë në sulm, por edhe sepse ka diferencë niveli tani që janë 48 skuadra. Nuk mendoj se një ekip, pa i munguar respektin Curacao-s, do të kishte qenë ndonjëherë në Botëror. Kjo është një nga arsyet."-u shpreh Ziu.

Ziu u ndal edhe te ngarkesa e kalendarit, duke argumentuar se futbollistët që aktivizohen në kampionatet evropiane mbërrijnë në Botëror të konsumuar fizikisht pas një sezoni të gjatë.

"Problemi tjetër është kalendari. Ekipet evropiane vijnë shumë, shumë të lodhura në këto data. Edhe futbollistët e Amerikës së Jugut apo të Afrikës që luajnë në Evropë. Për të dhënë maksimumin në një Botëror, datat më të mira do të ishin si në Katar, kur u luajt në nëntor, ose ndoshta gjatë shkurtit apo marsit."-tha ai.

Sipas tij, zhvillimi i Kupës së Botës në periudha të tjera të vitit do t'u jepte futbollistëve mundësinë të paraqiteshin në gjendjen e tyre më të mirë fizike, duke rritur edhe nivelin e konkurrencës në turne.

 

EMISIONET