Deschamps zbulon “sekretin” e dominimit të Francës në Botëror

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, deklaroi se skuadra e tij nuk e vuri kurrë në dyshim kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, pavarësisht penalltisë së humbur nga Kylian Mbappe dhe rasteve të shpërdoruara në pjesën e parë të sfidës ndaj Marokut. Franca siguroi një fitore 2-0 në çerekfinalen e zhvilluar të enjten në mbrëmje, duke dominuar takimin dhe konfirmuar statusin e një prej favoriteve për trofeun.
Mbappe pati mundësinë të kalonte Francën në avantazh në minutën e 28-të nga pika e bardhë, por goditja e tij u ndal nga portieri maroken Yassine Bounou, i cili realizoi edhe disa pritje vendimtare gjatë pjesës së parë. Francezët krijuan raste të tjera të pastra shënimi, ndërsa Lucas Digne goditi edhe traversën. Megjithatë, sipas Deschamps, skuadra nuk e humbi besimin në asnjë moment.
“Na mungoi efikasiteti në pjesën e parë dhe humbëm edhe një penallti. Krijuam disa raste, por nuk patëm asnjë dyshim, veçanërisht te Mbappe”, u shpreh tekniku francez në konferencën për shtyp.
Në pjesën e dytë, Franca arriti të konkretizonte epërsinë e saj, me Kylian Mbappe dhe Ousmane Dembele që gjetën rrugën e rrjetës, duke vulosur kualifikimin për në gjysmëfinale.
Deschamps vlerësoi paraqitjen kolektive të skuadrës, duke theksuar se Franca arriti ta neutralizonte plotësisht kundërshtarin.
“Bëmë gjithçka për t’i neutralizuar. I vendosëm nën presion gjatë gjithë kohës dhe i detyruam të vraponin vazhdimisht. Në fund ata u lodhën”, tha ai.
Nën drejtimin e Deschamps, Franca ka arritur në gjysmëfinalet e Kupës së Botës ose Kampionatit Evropian në pesë nga shtatë turnetë e fundit madhorë, duke mos ia dalë vetëm në Botërorin 2014 dhe Euro 2020.
“Të kesh lojtarë të mirë është thelbësore. Suksesi i një skuadre vjen përmes futbollistëve, edhe pse edhe trajneri duhet të bëjë punën e tij. Përtej rezultatit, lojtarë si Ëarren Zaire-Emery, i cili nuk kishte luajtur asnjë minutë më parë në turne, hynë në fushë dhe patën ndikim të madh. Kjo është edhe një aventurë njerëzore. Unë i kam zgjedhur këta lojtarë dhe është kënaqësi të punoj me ta çdo ditë”, deklaroi Deschamps.
Franca synon të arrijë finalen e tretë radhazi të Kupës së Botës, por Deschamps insistoi se skuadra mbetet e përqendruar vetëm te sfida e ardhshme.
“Çfarë ka ndryshuar krahasuar me vitet 2018 dhe 2022? Në vitin 2018 askush nuk priste që të fitonim. Në vitin 2022 ishim kampionët në fuqi dhe zakonisht kampionët eliminohen herët. Këtë herë të gjithë prisnin që të fitonim që para nisjes së turneut. Megjithatë, lojtarët e mi janë mësuar me këtë presion dhe nuk ndikohen prej tij. Aktualisht nuk po mendojmë për finalen, por vetëm për gjysmëfinalen”, përfundoi Deschamps.


