Struktura e punësimit në 2025: Sektori shtetëror rritet, privatet në tkurrje

Sektori publik mori rolin kryesor në thithjen e forcës së punës vitin e kaluar, ndërkohë që degët tradicionale të ekonomisë si bujqësia, shërbimet dhe industria pësuan tkurrje në raport me punësimin total.
Nëse në vitin 2024 administrata dhe shërbimet publike zinin 17.1% të totalit të punësimit, teksa vitin e kaluar ky tregues arriti në 21.7% te totalit, duke regjistruar një rritje prej 4.6 pikë përqindjeje, referon INSTAT. Të dhënat tregojnë se është shtuar interesi i fuqisë punëtore drejt sektorit shtetëror, i cili duket se po bëhet streha kryesore për punësimin në vend, duke thithur burime njerëzore nga sektorët e tjerë.
Në krahun tjetër, bujqësia vazhdon të përballet me një rënie të vazhdueshme. Megjithëse ky sektor vijon të mbajë peshën kryesore në strukturën e punësimit, ka regjistruar tkurrjen më të madhe në krahasim me sektorët e tjerë, duke zbritur nga 36.7% të totalit në vitin 2024 në 33.8% në 2025, një rënie prej 2.9 pikë përqindjeje. Kjo ecuri konfirmon tendencën të largimit të forcës së punës nga aktivitetet bujqësore drejt sektorëve të tjerë ose emigracionit.
Megjithë zhvillimet pozitive në turizëm sektori i tregtisë, transportit dhe hotelerisë, mbeti një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë së shërbimeve, po ka pësuar gjithashtu një rënie të lehtë. Kontributi i këtyre degëve në strukturën e punësimit ra nëë25.2% në 2025, me tkurrje 0.5 pikë përqindjeje. Natyra sezonale dhe informaliteti në këtë sektor, duket se po frenojnë punësimin pavarësisht se ofrohen paga të larta në muajt e pikut të sezonit.
Sektorët e prodhimit, ndërtimit, industrisë nxjerrëse dhe energjisë, gjithashtu kanë shfaqur shenja dobësie në kapacitetin për të gjeneruar punësim. Sektori i prodhimit ka shënuar një rënie prej 0.1 pikë përqindjeje, duke zbritur në 10% të totalit. Ndërkohë, ndërtimi dhe industria nxjerrëse e energjia kanë shënuar secili një rënie prej 0.5 pikë përqindjeje, duke mbyllur vitin 2025 me përkatësisht 7.4% dhe 1.9% të strukturës së punësimit, çka dëshmon një stanjacion në këto degë.
Kontributi i shtetit në ekonomi nëpërmjet administratës publike është rritur vitet e fundit. Në 2025 administrata publike numëroi rreth mbi 185 mijë punonjës dhe shpenzimet buxhetore për personelin arritën në 125.7 miliardë lekë. Nga 2014 në 2025, numri i punonjësve në sektorin shtetëror është zgjeruar me 12.7 për qind, ndërsa shpenzimet ndaj tyre janë rritur me 76 për qind.
Në vitin 2002, vendi numëronte mbi 3 milionë banorë dhe shërbehej nga rreth 186 mijë punonjës publikë, po aq sa sot dhe nuk kishte asnjë shërbim digjital. Vitin e kaluar, 23 vite më pas popullsia ka pësuar një rënie drastike prej 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë dhe pothuajse të gjitha shërbimet publike ofrohen online.
Teksa popullsia po tkurret, po ndikon edhe në rënien e numrit te të punësuarve. Vitin e kaluar kishte rreth 15 mijë të punësuar me pak se në vitin 2024, ndërsa në sektorin publik punësimi u zgjerua me tej me mbi 3 mijë persona duke bërë që pesha e tij në punësimin total të rritet me tej./Monitor

