Asllani në kuotën e 99 ndeshjeve, një bonus 5 milionë eurosh mund të ndryshojë fatin e tij te Interi

Asllani në kuotën e 99 ndeshjeve, një bonus 5 milionë eurosh

Kristjan Asllani është rikthyer me Interin për fazën përgatitore në Gjermani, por e ardhmja e mesfushorit shqiptar te klubi zikaltër mbetet e pasigurt. Interi po punon për largimin e tij dhe një detaj financiar mund të jetë një nga arsyet që ka ndikuar në këtë vendim.

Mesfushori shqiptar u huazua sezonin e kaluar te Torino dhe më pas te Beshiktashi, ndërsa me fanellën e Interit ka mbetur në kuotën e 99 ndeshjeve. Pikërisht kjo shifër lidhet me një klauzolë që po qarkullon në merkato.

Sipas raportimeve, kur Interi transferoi Asllanin nga Empoli në vitin 2022, marrëveshja përfshinte edhe bonuse të lidhura me paraqitjet e tij. Një prej tyre parashikon një pagesë prej rreth 5 milionë eurosh në rast se lojtari arrin 100 ndeshje me ekipin italian.

Nëse ky bonus është pjesë e kontratës, ndeshja e radhës zyrtare e Asllanit me Interin do të aktivizonte detyrimin për pagesën shtesë ndaj Empolit.

Kjo mund të jetë një nga arsyet pse klubi po kërkon ta shesë mesfushorin pa e aktivizuar më tej.

Deri tani, Asllani nuk konsiderohet pjesë e planeve të trajnerit të ri të Interit, ndërsa klubi po vlerëson ofertat për transferimin e tij. Mesfushori shqiptar pritet të jetë një nga emrat më të diskutuar në ditët e ardhshme të merkatos.

EMISIONET