Ancelotti: Ditën e largimit nga Real Madridi nuk do ta vendos kurrë unë
Në prag të ndeshjes kundër RB Salzburg, Carlo Ancelotti foli për mediat, duke bërë një vlerësim mbi situatën aktuale të Real Madridit, me fokus te grumbullimi i pikëve për kualifikimin në fazën tjetër.
I vetëdijshëm për vështirësinë e futjes në “top 8”, italiani theksoi se objektivi është të grumbullohen sa më shumë pikë për të arritur pozicionin më të mirë të mundshëm.
Ndeshja e radhës: "Është një ndeshje e rëndësishme, sepse jemi afër mbylljes së raundit të parë, ndaj duhet t’i marrim të gjitha pikët e mundshme. Do të përpiqemi të luajmë mirë, ashtu sikurse bëmë në ndeshjen e fundit".
Pozicioni në renditje: "Nuk kemi shumë mundësi për të hyrë mes tetë ekipeve të para. Duhet të fitojmë dhe të presim. Nëse do të na duhet të luajmë ‘play-off’-et, do t’i luajmë me gjithë dëshirë, duke e ditur se kalendari është i ngjeshur".
Niveli i ekipit: "Është e vështirë të thuhet se në çfarë përqindje ndodhemi si ekip. Në nivelin ofensiv po marrim rezultate të mira. Në nivelin mbrojtës kemi shumë për të përmirësuar. Nëse arrijmë të përmirësohemi, do të luftojmë për të gjithë trofetë".
Dashuria nga ekipi: "Nëse flasim për dashuri, ndihem shumë i vlerësuar. Nga ana mediatike ndihem i respektuar. Ndonjëherë gjërat ekzagjerohen pak, por siç kam thënë gjithmonë, dua të jem objektiv dhe të vazhdoj me linjën time".
Mbappé si qendërsulmues: "Ky ndryshim i pozicionit të Mbappé (si qendërsulmues) po funksionon mirë, duhet të vazhdojmë kështu".
Largimi nga Real Madridi: "Datën e largimit nga ky klub nuk do ta vendos kurrë unë. Kur do të ndodhë? Nuk e di. Kam një përparësi dhe objektiv, të qëndroj sa mandati i radhës i presidentit, të bëjmë epokë të madhe bashkë deri më 2029. Florentino Pérez do të jetë president edhe për 4 vitet e ardhshme dhe ai më njeh shumë mirë".
Xhelozia për Manchester City: "Nuk kam xhelozi për City, që po bën blerje në janar. Duke pasur parasysh atë që ndodhi sezonin e kaluar, jemi në kohë për të përsëritur sukseset e një viti më parë".
Formati i Champions League: "Është e vështirë të bëhet një analizë mbi formatin e Champions-it. Fakti që do të luhen më shumë ndeshje është sfidues, por gjithçka do të vlerësohet në fund të sezonit".