Flick pas përmbysjes dramatike në Champions: Fitojmë dhe humbasim së bashku, jemi ekip i bashkuar

Flick pas përmbysjes dramatike në Champions: Fitojmë dhe humbasim

"Ishte një ndeshje shumë e çmendur. Gjëja më pozitive është mentaliteti që treguam. Ky është futbolli. Nuk mbaj mend një përmbysje të tillë, është e pabesueshme. Ata ishin shumë të mirë dhe na detyruan të mbroheshim thellë.

Në pjesën e dytë ishim shumë më mirë, zëvendësimet na ndihmuan", – tha Hansi Flick pas përfundimit të ndeshjes, e cila e pa skuadrën e tij plot gabime, në disavantazhin 4-2, por në fund e fitoi me rezultatin 5-4. Një përmbysje epike, që rrallë shihet në futbollin e sotëm, lëre më në Champions League.

Lidhur me gabimet e portierit Szczesny në pjesën e parë, trajneri gjerman doli në mbrojtje të tij: "Cili lojtar nuk bën gabime? Është normale. Szczesny ka bërë disa gabime, por të gjithë lojtarët bënë gabime në pjesën e parë. Fitojmë së bashku, humbasim së bashku. Jemi një ekip. Më pëlqeu ajo që pashë në pjesën e dytë, na shpëtoi në një rast të qartë në favor të Benfica".

Duke analizuar rëndësinë e fitores, Flick theksoi: "Fitoret na japin kohë për të vazhduar të besojmë në këtë projekt dhe për t’iu dërguar një mesazh të qartë të rinjve se mundemi dhe duam të përmirësohemi. Për lojtarët është shumë e rëndësishme që fituam.

Natyrisht, ka gjëra që nuk na pëlqyen, bëmë shumë gabime në pjesën e parë, por jemi të bashkuar. Jam shumë i kënaqur me ekipin, lojtarët, tifozët dhe për klubin. Është një ‘fotografi’ krenarie, që tregon se jemi kthyer, që jemi këtu".

Sa iu përket sfidave të ardhshme, Flick u shpreh ambicioz: "Është shumë e rëndësishme të përqendrohemi te ndeshja kundër Valencias në kampionat, duam të fitojmë edhe ndaj Atalantës në mbyllje të fazës së grupit të Champions-it. Nuk duhet të ‘flemë mbi dafina’, meqë jemi kualifikuar në 1/8 finale".

Në fund, trajneri foli shkurtimisht për incidentin që përfshiu Raphinha në fund të ndeshjes: "Nuk e di çfarë ka ndodhur, nuk mund të bëj komente të mëtejshme”.

EMISIONET