Spitalet në kolaps? Rama i turret opozitës: Çeta e çakërdisur do t'ju fusë ankthin, t'u kallë tmerrin!
I zënë ngushtë nga përshkallëzimi i situatës me koronavirusin, kryeministri Rama duket më shumë i shqetësuar për të debatuar dhe akuzuar në distancë kundërshtarët politikë sesa për një strategji zgjidhjeje.
Në një postim në facebook, ai tenton të bindë qytetarët se opozita është e interesuar për të përhapur panik dhe jeta në spitalet Covid vijon normalisht.
E megjithatë Rama nuk harron edhe të përgatisë terrenin duke thën se kemi përpara edhe disa muaj të vështirë, por do t'ia dalim edhe kësaj lufte të egër dhe do të dalim më të fortë nga ky stërmundim i madh.
Rama: Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3!
Duan t'ju fusin ankthin, t'ju kallin tmerrin e t'ju mbushin me panik, për "spitalet në kolaps", "të sëmurët që dergjen dyshemeve", "situatën jashtë kontrollit" dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t'u rikthyer në pushtet...
Por siç e patë dhe siç do ta shihni edhe në pjesët e tjera EKSKLUZIVE me pamje e dëshmi, spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps, shtretërit e lirë nuk mungojnë, pacientët trajtohen me dinjitet, respekt, profesionalizëm, asnjë protokoll mjekësor anti-Covid që përdoret sot në Europë nuk mungon dhe shifrat e tregojnë qartë, që niveli i infektimeve e i humbjeve të jetëve s'është aspak ndryshe nga askund në Europë, ashtu sikundër tregojnë se niveli i shërueshmërisë në spitalet tona është i lartë, si kudo, pavarësisht fataliteteve që njësoj si në të gjithë botën fatkeqësisht nuk mungojnë.
Kini besim, bëni durim, jini të kujdesshëm për veten e të dashurit tuaj, respektoni rregullat, mos bini pre e lajmeve të rreme, fabrikimeve politiko - mediatike dhe teorive të konspiracionit.
Kemi përpara edhe disa muaj të vështirë, por do t'ia dalim edhe kësaj lufte të egër dhe do të dalim më të fortë nga ky stërmundim i madh.
