Zëdhënësi i Partive Popullore Evropiane (simotra e PD), eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka kritikuar ndryshimet kushtetuese në Shqipëri për hapjen e listave dhe koalicionet. Ai shprehet se një vendim i tillë duhet të ishte marrë në konsensus të plotë, ndërsa thekson se PPE do të monitorojë situatën duke nxitur konsensus mes palëve në këshillin politik për detajimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve për listat dhe koalicionet. Me zyrtarin gjerman replikoi ministrja Elisa Spiropali e cila tha se ai flet me gjuhën e Bashës.

Zëdhënësi i Partive Popullore Evropiane, politikani Gjermani Michael Gahler, reagoi ashpër ndaj mazhorancës për ndryshimin e kushtetutës, duke e cilësuar si një vendim  që nuk  dëmton vetëm opozitën, por Shqipërinë dhe aspiratën e saj për në BE.

Në rrjetet sociale ai shkruan duke e cilësuar të pa pranueshme për askënd që qeveria Rama, e cila synon hapjen e negociatave te pranimit me BE të iniciojë në mënyrë arbitrare ndryshimet e rregullave  të garës elektorale

“Nëse kjo qeveri dëshiron realisht hapjen e negociatave e pranimit me BE, si mund të mos pranojë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare respektive për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë.”

Deputeti i parlamentit evropian, thotë se Partitë Popullore Evropiane  do të vëzhgojnë me kujdes  veprimet e ardhshme ne lidhje me Kodin Zgjedhor, ndërsa ka këtë thirrje për shqiptarët.

U takon partive dhe popullit shqiptar të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane.”

Zyrtarit të lartë gjerman iu përgjigj ministrja e shtetit Elisa Spiropali,  duke i thënë se “Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel”.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për dialog gjithëpërfshirës, kështu që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, në vend se të kacavirren pas pasqyrave dhe shajnë e mallkojnë me një gjuhë që s’ka asnjë lidhje me vlerat e me etikën e PPE, duke abuzuar me deklaratën e zotit Gahler, janë të mirëpritur të na bashkohen në çdo kohë” – shkruan Spiropali.